Zhvlerësimi i euros/ Sejko: S’mund të ndërhyjmë në kursin e këmbimit. Nuk ndryshon norma e interesit

Ekonomi | 4 vite më parë

Norma bazë e interesit mbetet e pandryshuar në nivelin 3% nga Këshilli mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë. Kjo pasi sipas guvernatorit Gent Sejko, nga analiza e kryer, inflacioni vazhdoi trendin rënës gjatë tremujorit të parë, i ndikuar nga rënia e përgjithshme e inflacionit në ambientin botëror, efekti i bazës së lartë krahasuese të një viti më parë dhe nga efektet e para të normalizimit të qëndrimit të politikës monetare.

“Këshilli mbikëqyrës në BSH vendosi të mbajë të pandryshuar interesin bazë të normës së interesit në 3%. Presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten faktor rreziku për destabilizimin e çmimeve në vend”, tha Sejko.

Sipas Sejkos rritja e shpejtë e punësimit dhe e pagave japin sinjale inkurajuese për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në të ardhmen, por ato krijojnë gjithashtu një mjedis të favorshëm për rritjen e presioneve të brendshme inflacioniste.

Ndërkohë që i pyetur për kursin e këmbimit, Sejko theksoi se zhvlerësimi i euros ka ardhur si rrjedhojë e rritjes së investimeve të huaja, remitancave dhe turizmit por nënvizoi se duhet të ketë bashkëpunim për të ndihmuar eksportuesit të cilët janë më të prekurit nga ky ndryshim i kursit të këmbimit valutor. “

Kursi i Këmbimit ka qenë në epërsi prej disa vitesh, duke u mbiçmuar. Forcimi është më i fortë sepse vjen si pasojë e disa faktorëve. Të dhënat e bilancit të pagesave tregojnë rritje të konsiderueshme të investimeve të huaja, të të ardhurave nga turizmi, rritje të eksporteve në total. Gjithashtu edhe remitancat kanë ardhur në rritje. Kjo ka bërë që oferta e euros në vend të jetë e konsiderueshme.  Nuk kemi arsye për të ndërhyrë por duhet bashkëpunuar me eksportuesit dhe ato industri që preken nga ndryshimi i kursit të këmbimit”, shtoi Sejko.

Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja ekonomike e vendit pritet të vijojë të jetë në territor pozitiv.

/rtsh/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme