Zjarret gjatë verës, ligji ndalon ndezjen e tyre në tokat bujqësore

Aktualitet | 2 vite më parë

Kjo verë po shoqërohet edhe me raste zjarresh, kryesisht në tokat bujqësore.

Por duke iu referuar vendimit Nr. 404 për përcaktimin e rregullave të hollësishme për marrjen e masave parandaluese për përhapjen e zjarreve në tokat bujqësore, parashikohet që djegia e masës bimore, pjesëve të tyre dhe mbetjeve bimore të kryhet në periudhën 30 nëntor deri në 1 prill.

Djegia kryhet në një zonë të kufizuar që nuk tejkalon 5% të sipërfaqes së përgjithshme të parcelës ku prodhohet masa bimore që asgjësohet me djegie.

Subjektet pronare ose poseduese, që dëshirojnë të kryejnë këtë proces, duhet të paraqesin një kërkesë në njësinë e vetëqeverisjes vendore dhe pa lejen e tyre nuk mund të veprojnë.

Ndërkohë ligji parashikon ndalimin e djegies së masës bimore në tokat torfike.

“Të gjitha zjarrvëniet, sidomos djegia e mbeturinave dhe kulturave bujqësore, siç janë kashtërat, barishtet dhe të tjera, duhet të bëhen pas datës 1 nëntor. Nga 1 marsi deri më 1 nëntor nuk lejohet në mënyrë kategorike ndezja e zjarreve në fushë. Çdo individ, që nga pakujdesia apo nga padituria, aktivizon një vatër zjarri brenda këtij intervali, ligji parashikon ndëshkime nga gjobitja deri në burgim,” thotë Stiljan Belishta, shef i Emergjencave Civile në bashkinë e Maliqit.

Rasti i fundit i një zjarri në Qarkun e Korçës që shkaktoi dëme të konsiderueshme, ishte ai në pyjet e Bodesë në Maliq, ku rreth 160 hektarë pyje u përshkuan nga flakët. 

Gazetare: Geralda Sali

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme