Zjarret në Maui/ Të paktën 93 viktima dhe qindra persona të zhdukur. Guvernatori: Fatkeqësia më e madhe natyrore

Botë | 3 vite më parë

Nëntëdhjetë e tre persona janë konfirmuar të vdekur nga zjarret në Maui, ku flakët rrafshuan qytetin historik të Lahaina.

Autoritetet e kanë cilësuar si zjarrin më vdekjeprurës në SHBA në një shekull, ndërsa numri i viktimave mund të rritet “dukshëm”, paralajmëroi guvernatori i Havait, Josh Green.

Qindra persona rezultojnë ende të zhdukur.

“Zjarri do të jetë sigurisht fatkeqësia më e keqe natyrore që Havai është përballur ndonjëherë. Fokusi ynë tani është të ribashkojmë njerëzit kur të mundemi dhe t’u sigurojmë atyre strehim dhe t’u ofrojmë kujdes shëndetësor, dhe më pas t’i drejtohemi rindërtimit”, tha Green.

Ndërsa zjarret tani janë kryesisht nën kontroll, përpjekjet për shuarjen e plotë të tyre po vazhdojnë në pjesë të ishullit, duke përfshirë qytetin Lahaina. Autoritetet kanë përqendruar përpjekjet në krehjen e asaj që ka mbetur nga zona bregdetare e ishullit, duke përdorur qen të trajnuar për të zbuluar trupat nën rrënoja.

Deri më tani, ata kanë mbuluar vetëm 3% të zonës së kërkimit, tha shefi i policisë së Maui, John Pelletier.

Jeremy Greenberg, një zyrtar i lartë në Agjencinë Federale të Menaxhimit të Emergjencave tha se janë 1 mijë njerëz me të cilët nuk ka asnjë kontakt për shkak të shkatërrimit të sistemeve të komunikimit, por nuk dihet se sa prej tyre janë të sigurt nga flakët.

Më shumë se 2000 ndërtesa janë dëmtuar ose shkatërruar që nga shpërthimi i zjarreve. Shumica e tyre ishin shtëpi në zonën e Lahaina.

Kostoja e rindërtimit të Maui është vlerësuar në 5.5 miliardë dollarë, sipas Qendrës së Fatkeqësive të Paqësorit, e cila po koordinon përpjekjet e ndihmës në Havai nga Uashingtoni./ BBC

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme