Zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: Në 24 orë 29 vatra, gjashtë ende aktive

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur të dhënat e fundit sa i përket situatës së krijuar nga zjarret në vend. Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë territorin e vendit janë raportuar 29 vatra zjarri, prej të cilave janë aktive vetëm gjashtë.
Ministria shpjegon se Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile po vijojnë punën në ato zona ku është kërkuar ndërhyrja e tyre për neutralizimin e flakëve.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vatrat e zjarrit në fshatin Malecaj dhe Torovicë të bashkisë Lezhë, vijojnë me intensitet të ulët dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Gjithashtu, bëhet e ditur se është shmangur tërësisht rreziku për banesat nga vatra e zjarrit në malin e Shëngjinit, bashkia Lezhë, i cili pasditen e djeshme mori përmasa të menjëhershme për shkak të erës së fortë.
“Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë territorin e vendit janë raportuar 29 vatra zjarri. Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e 23 vatrave. Vijon puna për izolimin e plotë të flakëve në vendgrumbullimin e mbetjeve të Bashkisë Vlorë, nga forcat e pushtetit vendor dhe qëndror.
Vatrat e zjarrit në fshatin Malecaj dhe Torovicë të bashkisë Lezhë, sot vijojnë me intesitet të ulët dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara. Po ashtu është shmangur tërësisht rreziku për banesat nga vatra e zjarrit në malin e Shëngjinit, bashkia Lezhë, i cili pasditen e djeshme mori përmasa të menjëhershme për shkak të erës së fortë. Pas ndërhyrjes së forcave operacionale të bashkisë Lezhë, të mbështetura nga bashkia Tiranë dhe Forcat e Armatosura vatra është nën kontroll, por vijon puna nga forcat operacionale vendore dhe efektivë të FA. Po ashtu po punohet për shuarjen e zjarrit në fshatin Peraj, bashkia Has i cili si pasojë e erës së fortë ka kaluar nga territori i bashkisë Tropojë si dhe në fshatin Rrjoll, të bashkisë Shkodër, zjarr i cili vijon me intesitet të ulët. Forcat e Armatosura, nën kooordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile po vijojnë punën në ato zona ku është kërkuar ndërhyrja e tyre”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




