Zjarri te pallati pranë QSUT, në pranga administratori, menaxherja e marketit ku dyshohet se nisën flakët dhe 2 të tjerë. Nën hetim pronari

Zjarri i rënë në pallatin pranë QSUT-së, në Rrugën e Dibrës, ka çuar në arrestimin e katër personave dhe nisjen e hetimeve për disa të tjerë, përfshirë pronarin e objektit, i cili po hetohet në gjendje të lirë.
Autoritetet kanë ndërmarrë veprime hetimore për përcaktimin e shkaqeve dhe përhapjes së flakëve, që shkaktuan dëme të konsiderueshme dhe plagosjen e 11 personave, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në pranga janë vënë administratori i kompleksit të pallateve, A. C., 54 vjeç, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”; menaxherja e marketit, R. S., 54 vjeçe, për “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”; inxhinieri drejtues i punimeve, E. A., 66 vjeç; si dhe administratori i subjektit që ka kryer punimet e fasadës, A. F., 46 vjeç, të dy të akuzuar për “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”.
Ndërkohë, nën hetim janë edhe dy punonjëse të marketit, S. A. dhe E. M., për “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, si dhe pronari i kompleksit, A. L., 48 vjeç, dhe kontraktori i punimeve, Sh. B., 41 vjeç.
Sipas hetimeve paraprake, zjarri dyshohet të ketë nisur në ambientin e pasmë të marketit, ku ishin grumbulluar mbetje dhe ku nuk janë marrë masat e nevojshme për pastrimin e tyre. Po ashtu, dyshohet se administratori i kompleksit nuk ka garantuar kontrollin e masave të sigurisë nga zjarri dhe funksionimin e sistemeve mbrojtëse.
Pallati u përfshi nga flakët pasditen e djeshme (14 prill), ndërsa aksioni gjithëpërfshirës i zjarrfikësve, emergjencave civile, policisë, forcave Renea bëri të mundur që të mos kishte asnjë jetë të humbur.
Kryeministri Edi Rama reagoi mbi ngjarjen, duke siguruar se pallati do të rindërtohet 100% nga ndërtuesi.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për përcaktimin e shkaqeve të rënies dhe të përhapjes së zjarrit, dje, në një kompleks banimi te Rruga e Dibrës, arrestuan shtetasit:
-A. C., 54 vjeç, administratori i kompleksit të pallateve, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;
-R. S., 54 vjeçe, menaxherja e marketit në katin e parë të kompleksit, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;
-E. A., 66 vjeç, inxhinier drejtues i punimeve për ndërtimin e këtij kompleksi, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;
-A. F., 46 vjeç, administratori i subjektit që ka bërë punimet për fasadën e kompleksit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Gjithashtu, nisi hetimi penal për shtetaset S. A. dhe E. M., punonjëse në market, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, si dhe për shtetasit A. L., 48 vjeç, pronari i kompleksit të pallateve, dhe Sh. B., 41 vjeç, i kontraktuari për ndërtimin e kompleksit.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se në ambientin e pasmë të marketit që menaxhonte shtetasja R. S., në rrethana të paqarta ka rënë zjarr në një vend ku ishin grumbulluar mbeturina, ku kjo shtetase nuk kishte marrë masa për heqjen e tyre.
Gjithashtu, shtetasi A. C., administrator i kompleksit të banimit, dyshohet se nuk ka kryer veprimet e nevojshme për kontrollin e funksionalitetit të masave mbrojtëse për zjarrin dhe shpëtimin.
Nga flakët u dëmtuan 11 shtetas (punonjës të DPMZSh-së dhe banore të pallatit), të cilët vijojnë të marrin mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Grupi i posaçëm hetimor po vijon punën në vendngjarje, për të përcaktuar dëmin material total të shkaktuar nga zjarri.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve përgjegjës për këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




