111-vjetori i rënies së Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit, veprimtari përkujtimore në Shkodër
Në 111-vjetorin e rënies së atdhetarëve të shquar Çerçiz Topulli dhe Muço Qulli, në Shkodër u zhvillua një veprimtari përkujtimore pranë memorialit të dy heronjve, ku u vendosën kurora dhe u bënë homazhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve dhe të tjerë. Referuesit theksuan se, ndonëse nga jugu i vendit, dy patriotët janë pjesë e rëndësishme e historisë dhe kujtesës së Shkodrës, ku edhe humbën jetën të ekzekutuar nga garnizonet e ushtrisë malazeze.
“Çerçiz Topulli dhe Muço, njëri nga Leskoviku dhe tjetri nga Gjirokastra, janë po aq edhe shkodranë. Ata kanë derdhur gjakun këtu. Janë pjesë e truallit tonë, pjesë e qytetit tonë, pjesë e shkumës sonë historike. Shkodra, për këto dy figura, më 14 shtator 1944, në ceremoninë e përcjelljes, u ka bërë një nderim unik për kohën, për respektin dhe mirënjohjen ndaj tyre,” tha Zamir Llazani, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Shkodër.
Çerçiz Topulli dhe Muço Qulli u vranë më 17 korrik 1915 në zonën e Grudës, pranë Shkodrës, nga forcat ushtarake malazeze. Vrasja e tyre konsiderohet si një akt hakmarrjeje politike i qarqeve antishqiptare malazeze dhe greke, ndaj veprimtarisë së pandërprerë patriotike që ata kishin zhvilluar në mbrojtje të trojeve shqiptare dhe të interesave kombëtare.
Gazetar : A. Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




