15 vite nga krimi shtetëror i 21 Janarit, Rama së bashku me familjarët e viktimave kryen homazhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga familjarët e katër protestuesve të vrarë më 21 Janar të 2011-ës, kryeparlamentari Niko Peleshi, Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari , kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla kanë kryer homazhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Ata kanë vendosur karafila të kur pranë katër pllakave të bronxit të vendosura në bulevard në nder të viktimave.
Homazhet erdhën pas ceremonisë përkujtimore që u mbajt në Kryeministri për 15 vjetorin e krimit shtetëror të 21 Janarit.
Ngjarja ndodhi më 21 janar të 2011-ës, ku qindra qytetarë ishin ngritur në protestën e socialistëve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me thirrje kundër Kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha. Tensionet mes protestuesve dhe gardistëve u agravuan deri në tentativat e qytetarëve për t’u futur në oborrin e kryeministrisë, çka pasoi të shtënat brenda territorit të kryeministrisë, që lanë të vdekur katër protestuesit Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.
Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, që prej më shumë se një dekadë kërkojnë drejtësi për vrasjen e djalit të tyre.
Një sërë zyrtarësh e ish-zyrtarësh janë marrë në pyetje nga SPAK për të zbardhur rolin e tyre gjatë protestës së 21 Janarit të 2011-ës, sikurse ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, zëvendësi i tij Agron Kuliçaj, deputeti i PS, Xhemal Qefalia, ish-ministri Saimir Tahiri, ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi, ish-deputeti socialist Arben Çuko, ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-presidenti Bamir Topi, presidentin e Partisë së Lirisë Ilir Meta, etj,.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




