17 fshatra të Delvinës pjesë e “Paketës së Maleve”, rritet interesi për investime në zonat rurale

Aktualitet | 6 muaj më parë

Në Bashkinë e Delvinës ka hyrë në fazën e zbatimit “Paketa e Maleve”, një projekt që synon nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe investimet në zonat malore dhe rurale. Sipas kryetarit të bashkisë, Besmir Veli, procesi ka kaluar tashmë në një etapë konkrete, ku janë miratuar hartat e zhvillimit dhe janë përcaktuar zonat prioritare për investime. Kjo ka sjellë një interes të lartë nga banorët e zonave rurale për të investuar dhe zhvilluar aktivitetet e tyre ekonomike.

“Ne jemi duke shqyrtuar kërkesat, të cilat janë të shumta me thënë të drejtën nga banorët e zonës për të për të zhvilluar biznesin, apo atë çfarë duan të investojnë në zonë”, tha kreu i Bashkisë Delvinë, Besmir Veli.

Në hartën e “Paketës së Maleve” përfshihen dy njësi administrative të Bashkisë së Delvinës, konkretisht njësia administrative Delvinë dhe njësia administrative Vergo. Projekti shtrihet në 17 fshatra të këtyre zonave, të cilat konsiderohen me potencial për zhvillim në sektorë si bujqësia, blegtoria, agroturizmi dhe turizmi natyror. Autoritetet vendore synojnë që përmes kësaj pakete të krijohen më shumë mundësi ekonomike dhe të frenohet largimi i banorëve nga zonat rurale.

“Janë 17 fshatra të përfshira në këtë në këtë hartë të paketës së maleve edhe gjithë zona periferike e qytetit në këtë në këtë hartë”, theksoi Veli.

Zbatimi i “Paketës së Maleve” pritet të sjellë një transformim të rëndësishëm për komunitetet lokale, duke rritur investimet dhe duke përmirësuar infrastrukturën dhe shërbimet në fshatra. Banorët kanë shfaqur interes të madh për t’u bërë pjesë e skemave mbështetëse dhe për të zhvilluar iniciativa të reja ekonomike. Projekti shihet si një mundësi për rigjallërimin e zonave malore dhe për kthimin e tyre në qendra të rëndësishme të zhvillimit lokal.

Gazetare: B. Pëllumbi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme