20 vatra zjarri në 24 orë, mbi 700 forca të angazhuara në të gjithë vendin

Aktualitet | 3 muaj më parë

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë menaxhuar 20 vatra zjarri në zona të ndryshme të vendit, ku në terren janë angazhuar gjithsej 727 forca operacionale.

Sipas njoftimit zyrtar, në mbështetje të strukturave vendore kanë marrë pjesë edhe 128 efektivë të Forcave të Armatosura, të pajisur me dy automjete zjarrfikëse, një autoambulancë mjekësore dhe tre helikopterë të Forcës Ajrore, të cilët kanë ndihmuar në operacionet për shuarjen e flakëve.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi ka vlerësuar punën e të gjitha forcave të angazhuara, duke shprehur mirënjohjen për përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre në përballjen me zjarret.

Ministria e Mbrojtjes apelon për kujdes të shtuar nga qytetarët gjatë kësaj periudhe, ndërsa strukturat e emergjencës civile dhe forcat operacionale vijojnë të mbeten në gatishmëri për përballimin e çdo situate të krijuar nga zjarret.

Njoftimi i plotë:

727 forca operacionale janë angazhuar gjatë 24 orëve të fundit në menaxhimin e 20 vatrave të zjarrit në zona të ndryshme të vendit.

Në mbështetje të strukturave vendore, u angazhuan posaçërisht 128 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 automjete zjarrfikëse, 1 autoambulancë mjekësore dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.

Si Ministër i Mbrojtjes, e kam të pamundur të mos përcjell respektin e pakufijshëm për secilin prej tyre, si dhe ndaj të gjithë efektivëve të angazhuar që në fillim të verës në menaxhimin e zjarreve.

Janë pikërisht këta njerëz të sakrificës dhe me uniformë që zgjedhin të ecin drejt rrezikut për ta eliminuar atë, dhe jo t’i qëndrojnë larg tij.

Mirënjohje të thellë për profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin e pashoq, që po tregoni duke mbrojtur jetën, komunitetet dhe pasurinë tonë natyrore.

Shqipëria krenohet me ju!

Sakrifica, vendosmëria dhe shërbimi juaj janë shembulli më i mirë i detyrës ndaj Republikës!

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme