2024, viti i pyjeve, Diku: Në 25 vite është djegur 40% e sipërfaqes pyjore. Njeriu, shkatërruesi më i madh

2024-ra është shpallur viti i pyjeve. Inxhinieri i pyjeve, eksperti mjedisor Abdulla Diku ka zbuluar në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” se arsyeja lidhet me 101-vjetorin e shërbimit pyjor, dhe vjen në kuadër të një aksioni kombëtar për ndërgjegjësimin dhe shtimin e sipërfaqeve pyjore në vend.
“Më 2023 ishte 100 vjetori i shërbimit pyjor. Në respekt të këtij 100 vjetori dhe aspektet organizative për ta krhyer 100-vjetorin në një aksion të mirëfilltë për mbrojtjen e pyjeve dhe shtimin e sipërfaqeve pyjore ishte e pamundur vitin e kaluar, u deklaruar 2024-ra 101-vjetori i shërbimit pyjor si një aksion kombëtar për ndërgjegjësimin dhe shtimin e sipërfaqeve pyjore në vend”, u shpreh Diku.
Ky i fundit, deklaroi ndër të tjera se shkaktar i shkatërrimit të natyrës është dora e njeriut.
Diku deklaroi se në Shqipëri në një periudhë rreth 25 vite është djegur 40% e sipërfaqes pyjore e vendit. Ai theksoi se volumi pyjor është pakësuar me mbi 30%.
“Në gjithë globin njeriu është shkatërruesi më i madh i natyrës, keqpërdoruesi më i madh i burimeve natyrore si dhe çelësi kryesor si në përkeqësimin e situatës, ashtu dhe në zgjidhjen e saj. Në Shqipëri kjo është më evidente. Ne kemi parë si burimet natyrore të Shqipërisë janë degraduar vit pas viti. Në Shqipëri në një periudhë rreth 25 vite ne kemi djegur gati 400 mijë hektarë me pyje, rreth 40% e sipërfaqes pyjore të vendit. Një sipërfaqe e frikshme dhe volumi pyjor është pakësuar me mbi 30%. Pyjet më të mira që kemi pasur, nuk i kemi më, për shkak të zjarreve, prerjeve e informalitetit të lartë në këtë sektor”, tha Diku.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



