Lirohen hapësirat publike në Velipojë, gjoba ndaj subjekteve
Bashkia Shkodër ka ndërmarrë një aksion për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme përgjatë vijës bregdetare të Velipojës. Që në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele (15 qershor), Policia Bashkiake ka qenë në terren për të ndaluar çdo tentativë për zaptimin e hapësirave publike, të destinuara falas për pushuesit.
Gjatë këtij operacioni janë vendosur gjoba dhe janë sekuestruar çadra e shezlongë të vendosura në kundërshtim me ligjin.
Drejtori i Policisë Bashkiake, Saimir Rrustemi, theksoi se operacioni do të vijojë pa ndërprerje gjatë gjithë sezonit veror. Rrustemi shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e strukturave përkatëse dhe për mbështetjen e qytetarëve në këtë fushatë që synon garantimin e një sezoni turistik të qetë dhe të rregullt në Velipojë.
“Kemi konstatuar që disa subjekte nuk e kanë marrë seriozisht reagimin tonë gjatë këtyre ditëve. Janë sekuestruar një numër i madh çadrash dhe shezlongësh. Qëllimi ynë nuk është ndëshkimi, por nuk do të tolerojmë asnjë subjekt që zapton këto hapësira. Është caktuar një patrullë policie që do të kontrollojë vazhdimisht zaptimin e hapësirave publike”, u shpreh Saimir Rrustemi, Drejtor i Policisë Bashkiake Shkodër.
Aksioni pritet të shtrihet edhe në ditët në vijim, duke siguruar që pushuesit të gëzojnë bregdetin pa ndërhyrje abuzive.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



