27 mijë maturantë në provim, tezat qarkullojnë në rrjetet sociale 40 minuta nga nisja e testimit

Aktualitet | 1 vit më parë

27 mijë maturantë i janë nënshtruar sot provimit të parë të Maturës Shtetërore, atij të Gjuhës së Huaj. Për herë të parë këtë vit, maturantët që nuk dëgjojnë janë shoqëruar nga mësues të gjuhës së shenjave, masë kjo që nxit barazinë tek nxënësit.

Maturantët hynë në provim në orën 10 dhe patën dy orë e gjysmë kohë në dispozicion për të zgjidhur gjithçka.

Edhe pse çdo gjë ka nisur normalisht, duke iu përmbajtur me përpikëri rregullores së Maturës Shtetërore, pas 40 minutash nga nisja e provimit kanë qarkulluar në rrjetet sociale tezat e provimit A dhe B. Të pyetur pas testimit, maturantët konfirmuan se pyetjet e tezës së publikuar kanë qenë të njëjta me ato që kanë dhënë në provim, edhe pse kjo nuk u ka shërbyer atyre për zgjidhjen e ushtrimeve.

Ministria e Arsimit, nëpërmjet një reagimi në Facebook, ka sqaruar se publikimi i tezës nuk e cenon procesin e Maturës Shtetërore dhe se provimi është zhvilluar në kushte të larta sigurie dhe transparence. Ministria e Arsimit sqaron se çdo përpjekje për të prishur mbarëvajtjen e procesit do të trajtohet sipas rregullores.

Maturantët u shprehën se provimi ishte i një niveli vështirësie mesatar dhe se koha e vendosur në dispozicion ishte e mjaftueshme për të zgjidhur gjithçka.

Pas provimit të parë të Maturës Shtetërore, maturantët do të zhvillojnë provimin e dytë, atë të Gjuhës Shqipe, më 10 qershor. Ai do të pasohet nga provimi i Matematikës më 17 qershor, për të përmbyllur procesin e Maturës me provimin me zgjedhje, më 24 qershor.

Gazetare: Keti Toroveci

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme