21 ditë protestë, studentët nisin mobilizimin në universitete

Aktualitet | 42 minuta më parë

Protesta kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama ka hyrë në ditën e saj të 21-të, ndërsa studentët dhe të rinjtë vijojnë përpjekjet për të zgjeruar pjesëmarrjen në lëvizjen që kërkon dorëheqjen e kreut të qeverisë.

Këtë të hënë (2 nëntor), një grup të rinjsh është futur në ambientet e Universitetit të Arteve, ku u është drejtuar studentëve me thirrjen “Bashkohuni me ne!”. Protestuesit kanë kërkuar bojkotimin e procesit mësimor dhe përfshirjen e studentëve në protestën që prej tri javësh vijon kundër qeverisë.

Pas Universitetit të Arteve, të rinjtë janë drejtuar edhe në Fakultetin e Drejtësisë, ku kanë vijuar thirrjet për zgjerimin e lëvizjes studentore. Protestuesit synojnë të mobilizojnë më shumë studentë dhe qytetarë, ndërsa kërkesa kryesore e tyre mbetet largimi i kryeministrit Edi Rama.

Kujtojmë se në javët e para të zhvillimit, protesta u shoqërua edhe me episode të rënda tensioni dhe dhune. Përplasjet mes demonstruesve dhe efektivëve të policisë u shoqëruan me hedhje molotovësh, djegie koshash dhe vënie zjarri në disa institucione. Pavarësisht incidenteve dhe thirrjeve të përsëritura të Kryeministrit Edi Rama për dialog, protestuesit vijojnë të këmbëngulin në kërkesat e tyre.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme