Buxheti 2027/ Malaj: Dyfishohet bonusi i pensionistëve, rriten fondet për arsimin dhe shëndetësinë

Ekonomi | 44 minuta më parë

Buxheti i shtetit për vitin 2027 do të tejkalojë për herë të parë vlerën e 10 miliardë eurove. Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë prezantimit të buxhetit në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, bëri të ditur prioritetet e financimit për vitin e ardhshëm, duke vënë theksin te mbështetja sociale, pensionet, arsimi, shëndetësia, drejtësia dhe investimet. Sipas Malajt,buxheti është ndërtuar mbi objektivat dhe angazhimet e Programit Buxhetor Afatmesëm 2027-2029, ndërsa për herë të parë shpenzimet publike të planifikuara do të kalojnë kufirin e 10 miliardë eurove.

“Projektligji i buxhetit 2027 është ndërtuar mbi objektivat dhe angazhimet e programit buxhetor afatmesëm 2027-2029, duke përcaktuar kështu drejtimet kryesore të politikës sonë buxhetore për vitin e ardhshëm. Për herë të parë shpenzimet publike të planifikuara tejkalojnë 10 miliardë euro. Kjo shifër historike për nga përmasat e buxhetit është edhe një përgjegjësi më e madhe për përdorimin me efikasitet të këtyre burimeve, në funksion të interesit të gjerë publik”, deklaroi ministri.

Malaj bëri të ditur se projektbuxheti mbështetet në tri prioritete kryesore: mirëqenien sociale dhe mbështetjen e qytetarëve, stabilitetin fiskal dhe qëndrueshmërinë e financave publike, si dhe investimet, reformat dhe integrimin europian të vendit. Një nga ndryshimet kryesore të parashikuara në buxhetin e vitit 2027 lidhet me mbështetjen për pensionistët. Sipas ministrit, qeveria synon të afrojë indeksimin e pensioneve në muajin prill, nga korriku që zbatohet aktualisht, si dhe të dyfishojë bonusin mujor për pensionistët duke nisur nga janari 2027.

“Një nga prioritetet tona kryesore mbetet vijimi i mbështetjes për moshën e tretë. Pensionet zënë një vend të veçantë në buxhetin 2027. Synohet rritja e të ardhurave të pensionistëve. Konkretisht, me buxhetin e vitit 2027 ne parashikojmë afrimin e indeksimit të pensioneve në muajin prill 2027, nga korriku që e kemi aktualisht, me një fond shtesë të parashikuar në buxhet prej 1.35 miliardë lekësh. Parashikohet edhe dyfishimi i vlerës së bonusit mujor për pensionistët, duke nisur nga janari 2027, me një kosto totale prej 20 miliardë lekësh në vit”, u shpreh Malaj.

Sipas tij, të dyja këto masa do të kenë një kosto të konsiderueshme për buxhetin e shtetit. “Pra, vetëm këto dy politika për pensionistët, indeksimi dhe dyfishimi i bonusit, kanë një kosto totale për buxhetin e shtetit prej 24 miliardë lekësh, ose 250 milionë euro”, deklaroi ministri.

Në fokus të buxhetit do të jetë edhe mbështetja për familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara. Malaj bëri të ditur se parashikohet dyfishimi i pagesave për këtë kategori, si dhe njohja e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët. “Do të dyfishohen pagesat për fëmijët me aftësi të kufizuara, një politikë që e nisëm në korrik të këtij viti, si dhe njohja e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e tyre. Do të vijohet me politikën e bonusit të bebeve, por këtë herë përmes mbështetjes mujore deri në moshën 5 vjeç”, tha Malaj.

Gjithashtu, parashikohen rreth 1.3 miliardë lekë në vit për strehimin social dhe strehimin e përballueshëm, si dhe vijimi i kompensimit nga tatimi mbi të ardhurat personale deri në 48 mijë lekë për familjet që kanë fëmijë deri në moshën 18 vjeç.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme