3 mjekë nga diaspora i bashkohen sistemit shëndetësor shqiptar

Tre profesionistë shqiptarë të shëndetësisë, me eksperiencë në institucione prestigjioze në Evropë dhe Amerikën e Veriut, janë rikthyer në Shqipëri për të ushtruar profesionin e tyre. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në kuadër të Platformës për Mjekët nga Diaspora. Bëhet fjalë për mjekë me formim dhe eksperiencë të fituar jashtë vendit, të cilët tashmë do t’i bashkohen sistemit shëndetësor shqiptar.
Ermelinda Bahollari, e specializuar në Mjekësi Interne dhe Kardiologji në Gjermani, do të ushtrojë profesionin në Spitalin Memorial Fier. Ndërkohë, Mikel Kamami, i diplomuar në Itali dhe i specializuar pranë Spitalit Vita-Salute San Raffaele në Milano, është emëruar pranë Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”. Në Shqipëri rikthehet gjithashtu Neritan Boriçi, i cili ka 25 vite përvojë profesionale dhe kërkimore. Eksperienca e tij e fundit profesionale është në institucione referuese në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ministria e Shëndetësisë e konsideron rikthimin e tre profesionistëve një tjetër hap në drejtim të afrimit të mjekëve shqiptarë të diasporës me sistemin shëndetësor vendas. Sipas ministrisë, eksperienca e fituar në institucione shëndetësore dhe akademike jashtë vendit synon të sjellë në Shqipëri dije, përvojë profesionale dhe standarde bashkëkohore, duke kontribuar në forcimin e mëtejshëm të shërbimeve shëndetësore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




