50.000 lekë për kartën e identitetit, merret zyrtarisht i pandehur 38-vjecari i akuzuar për korrupsion aktiv në zgjedhje

Aktualitet | 2 vite më parë

Ka nisur procedimi penal për krime zgjedhore, në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Prokuroria pranë gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, bëri të ditur se ka proceduar penalisht shtetasin Marin L., 38 vjeç, pasi akuzohet se ka tentuar t’i marrë kartën e identitetit një shtetasi për të favorizuar një subjekt politik në zgjedhje. Shtetasi në fjalë akuzohet për ‘Korrupsion aktiv në zgjedhje’.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka regjistruar procedimin penal për veprën penale, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, mbi bazën e informacioneve të marrë nga Komisariati i Policisë Lushnjë”, njofton prokuroria Fier.

Dinamika e ngjarjes

Pas informacionit të Komisariatit të Policisë Lushnjë, Prokuroria Fier në bashkëpunim me shërbimet e policisë gjyqësore të këtij komisariati, si dhe në koordinim të vazhdueshëm dhe efektiv me Prokurorinë e Posaçme kundër Koorupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, duke përdorur edhe metoda proaktive të hetimit, kanë arritur të dokumentojnë se, shtetasi M.L., i ka kërkuar dhe marrë shtetasit M.T., kartën e identitetit kundrejt premtimit të një shume prej 50’000 (pesëdhjetëmijë) lek, me qëllim për të favorizuar një subjekt politik në zgjedhje.

“Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, policia gjyqësore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier, ka kryer arrestimin në flagrancë të të dyshuarit. Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka dërguar në Gjykatë kërkesa për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit personal ndaj shtetasit M.L., e cila është miratur nga Gjykata e Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.”, thuhet në njoftim.  

Pas kryerjes së veprimeve të ngutshme procedurale, Prokuroria Fier ka vendosur që çështja ti kalohet për kompetencë lëndore Prokurorisë së Posaçme.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale që cenojnë zgjedhjet e lira dhe demokratike.”, theksohet në njoftim.

Çfarë parashikon Neni 328 i Kodit Penal për korrupsionin në zgjedhje?  

Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve

Sipas nenit 328, ofrimi ose dhënia e të hollave apo të mirave materiale, bërja e premtimeve për vende pune ose për favorizime të tjera në cilëndo formë, me qëllim që të marrë firmën për paraqitjen e kandidatit, për të votuar në një mënyrë të caktuar apo për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në dy vjet.

Pranimi i të hollave, të mirave materiale, premtimeve dhe favorizimeve të tjera kundrejt kryerjes së veprimeve të mësipërme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme