61.9 miliardë lekë shpenzimet për Shëndetësinë/ Denaj: Mbështetje edhe për vaksinimin, pretendimet e Metës të pasakta

Ekonomi | 6 vite më parë

Për sektorin e shëndetësisë në vitin 2021 planifikohen të shpenzohen rreth 61.9 miliardë lekë ose 3.7% e PBB, me mbështetje të drejtpërdrejtë për vaksinën dhe çdo nevojë tjetër shëndetësore për COVID-in.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj tha sot gjatë diskutimit të dekretit për kthimin e Buxhetit për vitin 2021 se argumentet e Presidentit se “shëndetësia nuk mbështetet mjaftueshëm për përballimin e pandemisë COVID-19” nuk janë të sakta,

“Qeveria i qëndron fort, mbështetjes që do t’i japë stafeve mjekësore dhe atyre arsimore në vend, me rritjen 40% dhe 15% përkatësisht. Në vitin 2021 shuma e alokuar për Personat me Aftësi të Kufizuar dhe familjet që përfitojnë ndihmën ekonomike rritet në mënyrë të konsiderueshme me 3.7 miliardë lekë krahasuar me planifikimin e vitit 2020”, tha Denaj.

Buxheti 202, shtoi ajo, nuk ka vetëm masa pasive për trajtimin e familjeve në nevojë, por ka dhe masa të tjera aktive si fondi i nxitjes së punësimit që rritet me rreth 80 milionë lekë krahasuar me vitin 2020, duke arritur nivelin rekord prej 570 milionë lekë në vitin 2021.

Po ashtu, shtoi ajo, fondi për ndërmarrjet sociale parashikohet në rreth 120 milionë lekë, duke synuar punësimin e 250 të papunëve nga shtresat e marzhinalizuara gjatë vitit 2021.

“Planifikohen rreth 250 milionë lekë më shumë për mbështetjen e biznesit gjatë vitit 2021, ku financojmë rreth 400 ndërmarrje të vogla dhe të mesme më shumë se viti 2020”, tha Denaj.

Njëkohësisht, bëri të ditur ministrja, vijon mbështetja në rritje e fermerëve shqiptarë gjatë vitit 2021, me 1 miliardë lekë për skemën e subvencionimit të naftës në bujqësi.

“Pavarësisht këtyre fakteve të sipërcituara, shteti shqiptar ka ofruar një ndihmë të konsiderueshme për të gjitha bizneset e prekura nga pandemia COVID-19 dhe gjatë vitit 2020, dhe në vitin 2021 parashikohet një situatë më e favorshme për biznesin e nënkuptuar dhe me parashikimet pozitive të rritjes ekonomike për vitin 2021”, tha Denaj.

Sipas saj, politika fiskale në lidhje me tatimet direkt të biznesit është qasje e diferencuar, pasi ajo synon pikërisht mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme me zero tatimfitim dhe rritje të pragut të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për më shumë se 100 mijë biznese, që përfaqësojnë 90% të bizneseve në vend.

Efekti financiar është 5 miliardë lekë që do të mungojnë në buxhet, por do të jenë në funksion të biznesit të vogël.

Ndërkohë, sa i takon projeksioneve të rritjes reale për vitin buxhetor 2021, rritjes reale për vitet buxhetore 2022-2023, Denaj tha se parashikimet e PBB nominale janë krejtësisht në të njëjtën linjë me ato respektive më të fundit të FMN.

“Pas rritjes së deficitit dhe borxhit publik në vitin 2020, rrije e detyrueshme, e kuptueshme për të amortizuar goditjet që mori ekonomia e vendit për të shmangur pasoja zinxhir që prej vitit 2021 e për periudhën afat-mesme në vijim, borxhi publik është targetur qartësisht me rënie në raport me PBB”, deklaroi ministrja.

Sipas saj, buxhetimi dhe kriteret makroekonomike të Shqipërisë i kanë dhënë besim të plotë edhe Bashkimit Evropian për të na asistuar në procesin e rimëkëmbjes.

“Funksionet “stabilizuese” të politikës fiskale dhe buxhetit të shtetit shkojnë deri në atë masë optimale ku nuk rrezikohet qëndrueshmëria afat-mesme dhe afat-gjatë e financave publike dhe stabilitetit makroekonomik në tërësi, dhe pikërisht ky kriter kryesor ka udhëhequr politikën fiskalë të materializuar në projekt-buxhetin 2021”, tha ministrja. 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme