70-vjetori i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Spiropali: Të lumtur të mikpresim Samitin e Aleancës në vitin 2027

Aktualitet | 1 vit më parë

Shqipëria do të presë Samitin e NATO-s në vitin 2027, i pari i zhvilluar në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në fjalën e saj në 70-vjetorin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali tha se mbajtja e këtij samiti në vendin tonë, tregon angazhimin e vazhdueshëm të Aleancës në rajon.

“Jemi të lumtur të mirëpresim pas 2 vitesh, në vitin 2027, samitin e parë të NATO-s në rajonin tonë. Ky vendim shpjegon rëndësinë strategjike të angazhimit të vazhdueshëm të NATO-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Spiropali.

Kryeparlamentarja u ndal edhe te rritja e buxhetit për mbrojtjen, duke theksuar se qeveria shqiptare e ka përmbushur synimin prej 2% të PBB. Spiropali shprehu angazhimin e Shqipërisë ndaj NATO-s, ndërsa tha se uniteti është forca më e madhe e kësaj Aleance.

“Shqipëria e ka treguar vazhdimisht angazhimin ndaj aleancës. Qeveria jonë ka rritur ndjeshëm buxhetin për mbrojtjen dhe e ka arritur synimin prej 2% të PBB, në përputhje me qëllimin e aleancës për ndarjen e barrës. Ne mbështesim zotimin e ri për investimin në mbrojtje 3.5% për mbrojtjen bazë dhe 1.5% për fushat e tjera që kanë të bëjnë me sigurinë. Ne po modernizojmë Forcat tona të Armatosura, duke ngritur infrastrukturë kyçe për NATO-n, përfshirë transformimin e bazës ajrore të Kuçovës në një qendër strategjike për aleancën në Ballkanin Perëndimor.

Le ta përdorim këtë asamble si një katalizator për veprim të koordinuar, le të shkëmbejmë praktikat më të mira për luftimin e terrorizmit dhe fuqizimin e qytetarëve tanë me fakte. Shqipëria mbështet një NATO me qasje progresive, politikisht e bashkuar, ushtarakisht e forcuar dhe strategjikisht e zhdërvjelltë. Ne duhet të rrisim aftësinë për të projektuar stabilitet përtej kufijve tanë dhe të mbrojmë parimin se një sulm ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve. Uniteti ynë mbetet forca jonë më e madhe, le të mos e marrim për të mirëqenë. Në një epokë ndryshimesh të shpejta dhe kërcënimesh të vazhdueshme, NATO duhet të mbetet e domosdoshme”, u shpreh Spiropali.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme