UBA bëhet banka e pestë me kapital kontrollues shqiptar

Ekonomi | 5 vite më parë

Një tjetër bankë tregtare bëhet shqiptare, që do të thotë se kontrollohet tani nga një kompani shqiptare. Banka Islamike për Zhvillim, UBA Bank, tani do të kontrollohet nga një sipërmarrës shqiptar, i cili ka blerë 51% të aksioneve të bankës.

Grupi i huaj financiar ka hequr dorë nga kontrolli i paketës së shumicës së aksioneve nga Banka Islamike për Zhvillim, duke ia lënë paketën kontrolluese blerësit të hershëm EUROSIG. Pronari i kësaj të fundit, në një intervistë të posacme për RTSH pranoi se, banka saudite ka arritur marrëveshjen për të transferuar paketën kontrolluese të aksioneve te kompania shqiptare e sigurimeve Eurosig. Aktualisht, Eurosig mban 21.7% të aksioneve, ndërsa sipas marrëveshjes së arritur, kuotat në pronësi të saj do të arrijnë në pak më shumë se 51%. Transaksioni ka marrë miratimin e Bankës së Shqipërisë, ndërsa pritet të zyrtarizohet gjatë këtij muaji. Së shpejti, UBA do të bëhet banka e pestë me kapital kontrollues shqiptar.

Eurosig hyri në UBA në gusht të vitit 2019, duke blerë 9% të aksioneve nga Banka Islamike për Zhvillim, për afërsisht 1 milion dollarë amerikanë. Në maj 2020, Eurosig nënshkroi pjesën dërrmuese të rritjes së kapitalit të bankës, të kërkuar nga Banka e Shqipërisë, me rreth 984 mijë dollarë të tjerë dhe duke e çuar pjesëmarrjen në 15.32%. Në gusht 2020, Eurosig bleu edhe 1.36% të aksioneve, që mbaheshin nga kompania malajziane Business Focus SDN, për rreth 169 mijë dollarë amerikanë.

Në fund të vitit të kaluar, Eurosig realizoi edhe blerjen e 2.15% të aksioneve që mbahen nga grupi saudit Dallah Albaraka Holding, duke e çuar pjesëmarrjen në UBA në rreth 21%. Deri në fund të vitit 2020, Eurosig kishte investuar mbi 2.4 milionë USD në UBA. Eurosig ka qenë një nga subjektet shqiptare më të interesuara për të përfituar nga epoka e shitjeve me çmime të leverdishme në sektorin bankar.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme