Kush i rrit çmimet në Shqipëri?

Ndryshe nga të punësuarit, pjesa më e madhe e të cilëve duhet të paguajnë më shumë taksa këtë vit, barra fiskale për bizneset është ulur ndjeshëm në 2021. Shifrat janë ato që e qartësojnë këtë konkluzion.
Nga 1 janari, bizneset e vogla me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë kanë tatim fitimi zero, sipas ndryshimeve në ligjin për tatimin mbi të ardhurat. Më parë, bizneset me qarkullim vjetor nga 0 në 5 milionë lekë kanë paguar zero tatimfitim, ndërsa bizneset nga 5 në 14 milionë lekë kanë tatim të thjeshtuar prej 5%.
Nga 1 janari 2021, pragu i regjistrimit në tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) është rritur në 10 milionë lekë, nga 2 milionë lekë që ishte deri tani.
Nga të dy këto masa, sipas të dhënave të mëparshme nga Tatimet, bizneset që preken nga dy ndryshimet kryesore, kanë paguar 4.3 miliardë lekë tatimfitimi dhe TVSH, ose 34 milionë euro.
Po cilat janë përfitimet e biznesit nga përjashtimet e mësipërme?
Ekspertët fiskale kanë përllogaritur me shembuj të thjeshtë përfitimin e bizneseve. Ja një ushtrim i thjeshtë dhe i kuptueshëm: Një biznes shpk, me qarkullim vjetor poshtë 10 milion lekë të reja në vit, subjekt përjashtimi nga TVSH dhe tatim fitimi, kur ishte në skemën e TVSH, llogaria e tij ishte: Biznesi blen me kosto 100 lekë mall/shërbim dhe 20 lekë TVSH. Biznesi shet të njëjtin mall/shërbim me çmim pa TVSH 110 lekë (normë fitimi bruto 10%) dhe 22 lekë TVSH. Diferencën prej 2 lekë tepër të TVSH (22 lekë TVSH nga shitja minus 20 lekë TVSH nga blerja) i paguan për llogari të zyrës së tatimeve. Ndërkohë paguante edhe 0.5 lekë tatim fitimi (5% e 10 lekë fitim para tatimit).
Kur ky biznes është përjashtuar nga skema e TVSH dhe tatim fitimit, llogaria e tij është: Biznesi blen 120 lekë mall/shërbim ((100 lekë kosto dhe 20 lekë (20% TVSH)). Biznesi, të njëjtin mall/shërbim nuk e shet dot me me çmim 110 lekë, pasi del me humbje, por ta zemë se e shet po aq sa e shiste me 132 lekë. Diferenca midis çmimit të shitjes (132 lekë) – koston e blerjes (120 lekë) = 12 lekë
Pra kostoja e tij e përfitimit është se nuk paguan apo kursen 2 lekë shtesë TVSH për zyrën e tatimeve, si dhe nuk paguan (kursen) 0.5 lekë tatim fitimi për arsye të përjashtimit tatimor. Në total, biznesi përfiton 12 lekë për 120 lekë qarkullim.
Ky përfitim i biznesit që i kushton arkës së shtetit jo më pak se 34 milionë euro, nuk pasqyrohet sot në çmimet e produkteve dhe shërbimeve, të cilat i ofron në treg pikërisht biznesi i vogël.
Nëse këto llogaritje do t’i bënim për të punësuarit në shtet apo privat, do të dilte se vetëm nga rritja e pagës minimale dhe maksimale në 2021, punëdhënësit dhe punëmarrësit do të paguajnë në total rreth 37 milionë euro më shumë taksa mbi pagën dhe të paktën 25 milionë euro më shumë nga të dypunësuarit. Kush duhet të ankohet atëherë për çmimet dhe taksat, biznesi apo punëmarrësit?
KUR BIZNESI NUK ËSHTË PËRJASHTUAR NGA SKEMA E TVSH DHE TATIM FITIMIT, LLOGARIA E TIJ ËSHTË:
Blerja – Biznesi blen me kosto 100 lekë mall/shërbim dhe 20 lekë TVSH (20% TVSH).
Shitja – Biznesi shet të njëjtin mall/shërbim me çmim pa TVSH 110 lekë (normë fitimi bruto 10%) dhe 22 lekë TVSH (20% TVSH)
Diferenca prej 2 lekë tepër e TVSH (22 lekë TVSH nga shitja minus 20 lekë TVSH nga blerja) i paguan për llogari të zyrës së tatimeve.
KUR BIZNESI ËSHTË PËRJASHTUAR NGA SKEMA E TVSH DHE TATIM FITIMIT, LLOGARIA E TIJ ËSHTË:
Blerja – Biznesi blen 120 lekë mall/shërbim ((100 lekë kosto dhe 20 lekë (20% TVSH)). Bizneset e vogla blejnë kryesisht nga bizneset e shumicës apo të mëdha që nuk janë të përjashtuar nga TVSH
Shitje – Biznesi të njëjtin mall/shërbim nuk e shet dot me me çmim 110 lekë (pa TVSH pasi është perjashtuar), pasi del me humbje, por ta zemë se e shet po aq sa e shiste me 132 lekë.
Diferenca midis çmimit të shitjes (132 lekë) – koston e blerjes (120 lekë) = 12 lekë. Përfitimi i biznesit është mesatarisht 2 lekë TVSH për 120 lekë qarkullim dhe 0.5 lekë për 120 lekë xhiro, në total 2.5 lekë për 120 lekë qarkullim.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




