Rriten eksportet drejt Greqisë, kryesojnë mineralet dhe tekstilet

Eksportet drejt Greqisë kanë njohur rritje të ndjeshme gjatë 5 muajve të parë të këtij viti. Sipas raportit të tregtisë së jashtme të publikuar nga Instituti i Statistikave, eksportet llogariten mbi 7.6 miliardë lekë, nga rreth 4.6 miliardë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vlerën më të lartë të eksporteve e shënuan grupet “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, ndjekur nga grupi “tekstile dhe këpucë”. Ndërkohë, importet e mallrave nga Greqia në Shqipëri, gjatë periudhës janar-maj arritën në rreth 22.5 miliardë lekë, kur një vit më parë (2020) u importuan rreth 20.6 miliardë lekë. Në vlerën e mallrave të importuara nga shteti fqinj, vendin kryesor e zënë grupi i mallrave “ushqim, pije dhe duhan” në vlerën 6.4 miliardë lekë, i ndjekur nga grupi “materiale ndërtimi dhe metale” në vlerën gati 4.3 miliardë lekë dhe “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” në vlerën 3.1 miliardë lekë. Referuar të dhënave, shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me Greqinë gjatë 5-mujorit zunë 7% të totalit të gjithë tregtisë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




