Rritet vëmendja për Muzeun e Artit Oriental Bratko në Korçë

Rritet vëmendja e turistëve për muzeun oriental Bratko në qytetin e Korçës, aty ku çdo fundjavë numërohen rreth 50 vizitorë të cilët zgjedhin të kalojnë disa momente me koleksionin e famshëm oriental, ndërsa shumë prej tyre zgjedhin të marrin si kujtim edhe një album promovues të këtij koleksioni i cili ndodhet pranë këtij muzeu, apo edhe librin e shkruar nga autori Kristaq Balli, mbi jetën e shqiptaro amerikanit Gaqo Dhimitër Mborja, i cili është edhe dhuruesi i objektit dhe koleksionit të veçantë që ndodhet në këtë muze. Me tekst shpjegues në gjuhën shqipe, angleze dhe frënge, ky album sjell edhe përmes fotove koleksionin e Muzeut të Artit Oriental “Bratko” i cili përbëhet nga rreth 400 objekte interesante e origjinale. Arti dhe etnokulturat në të i përkasin vendeve e popujve aziatikë të Japonisë, Kinës, Indisë, Indonezisë, Malejzisë, Iranit, Persisë, Rusisë, madje edhe Nepalit, Burmës dhe një pjesë e vogël Europës e Amerikës.
Eksponatet dhe objektet më interesante janë ato tradicionalet, që lidhen kryesisht me mitologjinë, besimet dhe spiritualizmin aziatik, si statuja metalike të Budës, Vishnu (Hinduizmi), Shiva, Parvati-bijë e Himalajës, perëndisë Elefant etj., koleksione të ndryshme maskash prej druri, armë, thika e shpata, piktura kineze në mëndafsh, vegla muzikore të vjetra harqesh e frymore, mobilje antike të polikromuara, veshje e armatime samurai, porcelane të bukura, objekte të kulturave të dinastive të ndryshme, etj. Me interes historik është një pjesë e koleksionit të madh fotografik që paraqit personalitete të shquara të kohës si presidentët amerikanë Truman e Ajzenaur, gjeneralin e shquar amerikan Douglas Mc Arthur, perandorin japonaz Hirohito, perandorin e Etiopisë Haile Selassie, mareshallin Tito të Jugosllavisë, udhëheqësit e Koresë, Kamboxhias, Vietnamit, Filipineve, Tailandës, Kinës, shumica e fotove të të cilëve i është dhuruar me autografë origjinalë vetë autorit. Edhe pse modest, Muzeu i Artit Oriental Bratko është një pasuri që i jep larmi mjedisit kulturor e muzeor të Korçës, por është gjithashtu edhe simbol i një akti të lartë human e qytetar nga dhuruesi e filantropi Mborja.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




