Shqipëri-BE miratojnë Partneritetin e Sigurisë: Mbrojtje ndaj kërcënimeve hibride dhe terrorizmit

Politikë | 2 vite më parë

Shqipëria dhe Bashkimi Evropian kanë miratuar Partneritetin e Sigurisë dhe Mbrojtjes. Sipas Ministrisë së Jashtme ky kuadër i ri politik krijon një platformë për dialog dhe bashkëpunim të zgjeruar për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, “duke reflektuar vendosmërinë e të dyja palëve për të punuar së bashku për të adresuar sfidat e përbashkëta të sigurisë në një mjedis global gjithnjë e më kompleks.”

“Shqipëria si vend negociues me BE dhe shtet anëtar i NATO-s ka qenë dhe është një partner i vyer dhe i besuar për BE-në në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes, duke kontribuar në mënyrë aktive në misionet dhe operacionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së (CSDP).

Partneriteti i sapomiratuar i Sigurisë dhe Mbrojtjes mbështet në këtë bazë të fortë, duke i hapur rrugën rritjes së bashkëpunimit në fusha kyçe, duke përfshirë menaxhimin e krizave, mbështetjen për Ukrainën, përballimin e kërcënimeve hibride, sigurinë kibernetike, ndërtimin dhe trajnimin e aftësive, kundër terrorizmit dhe aspektet e jashtme të menaxhimin e integruar të kufirit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.

Ministria e Jashtme bën të ditur më tej se vendimi i korrikut 2024 i Bashkimit Evropian për t’i dhënë 13 milionë euro mbështetje Forcave të Armatosura Shqiptare në kuadër të Fondit Evropian të Paqes, ka qenë një moment historik i rëndësishëm në bashkëpunimin tonë për sigurinë dhe mbrojtjen.

“Ai pasqyron vlerësimin e BE-së për përafrimin e plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit, e cila është një shprehje shumë e qartë e zgjedhjes strategjike të Shqipërisë për një të ardhme brenda BE-së”, shpjegon më tej Ministria e Jashtme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme