Presidenti Begaj takon deputetin e Luginës së Preshevës në Serbi

Presidenti Bajram Begaj, priti sot në një takim deputetin shqiptar të Luginës së Preshevës në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Biseda u fokusua në sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe angazhimin e Shqipërisë në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të tyre.
Presidenti siguroi Kamberin për mbështetjen e tij dhe të institucioneve shqiptare ndaj çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Çështjet e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës mbeten parësore për ne deri në zgjidhjen e tyre, – u shpreh Begaj gjatë bisedës me deputetin Kamberi.
“Hapja e afërme e Konsullatës së Përgjithshme në Bujanoc është një hap i rëndësishëm”, – vlerësoi Presidenti.
“Nuk duhet që askush në shekullin XXI të dënohet për përdorim të simboleve kombëtare, për mbajtjen e flamurit.
Në takimet e mia me ndërkombëtarët kam theksuar domosdoshmërinë e ndalimit të pasivizimit të adresave në Luginën e Preshevës dhe njohjen e diplomave të të rinjve që mbyllin studimet në Shqipëri e Kosovë, si një e drejtë që garantohet edhe nga Procesi i Berlinit. Në fund, dua t’ju përgëzoj për të gjithë aktivitetin tuaj politik, për të gjithë avokaturën në Parlamentin e Serbisë për të mbrojtur çështjen, gjakun, dinjitetin shqiptar”, – vlerësoi Presidenti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




