Bylykbashi: Na përjashtuat se nuk donit që të ishim këtu për të diskutuar buxhetin. Koçi: Kryet vepra penale

Në Kuvend vijon të diskutohet mbi vendimin e Gjykatës Administrative për kthimin e deputetëve të PD-së në sallë, duke sjellë debate mes opozitës dhe mazhorancës. Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi akuzoi maxhorancës se me përjashtimin e tyre kishin si qëllim që opozita të mos ishte e pranishme në seancë plenare për diskutimet mbi buxhetin faktik të 2023. Sipas tij, shumica socialiste po pengon opozitën që të ushtrojë instrumentin e saj për kontrollin e qeverisë.
“Nëse nuk do të ishte vendimi i gjykatës, sot opozita nuk do ishte këtu për debat për buxhetin faktik. Nëse nuk do ishte vendimi i gjykatës, qëllimi juaj ishte pikërisht kjo që opozita të mos ishte këtu të debatonte. Që opozita të mos ishte këtu që të përdorte instrumentin e saj që t’ju kontrollojë juve. Dëgjova që keni plan të ankoheni për vendimin e gjykatës, vijoni të qëndroni te paligjshmëria juaj. Kjo sallë këtu qeveriset nga rregullat që prodhohen mundësinë që ne të bëjmë punën tonë dhe puna jonë është t’ju kontrollojmë juve. Ju nuk doni që ne të kontrollojmë buxhetin dhe për këtë arsye Rama e shtyn drejt tensionit. Edhe pse ju kërkojnë dialog konstruktiv, ju përsëri shtyni në të njëjtin situatë që këtu të mos ketë debat dhe kontroll”, tha Bylykbashi.
Nga ana tjetër, deputeti socialist Petro Koçi tha se opozita nuk shkeli vetëm rregulloren, por “ka kryer vepër penale” me sjelljen në Kuvend, duke sjellë shishe benzine dhe djegur karriget.
“Në shumë raste ju nuk keni shkelur rregullore, por keni bërë vepër penale, por kjo është gjë tjetër. Nuk dëgjova asnjë prej jush të reflektonte mbi ato që keni bërë gjithë muajit e fundit, ku kulmi ishte shishja me benzinë, jo ajo me parfum, që e përdorët për të djegur karriget në oborrin e Kuvendit. Në këtë sallë ne jemi të gjithë bashkëpërgjegjës, por jo të gjithë bashkëfajtor”, u shpreh Koçi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




