Begaj takon Sekretarin e Përgjithshëm të BSEC: Konsolidojmë bashkëpunimin

Presidenti Bajram Begaj, priti në një takim Asaf Hajiyev, Sekretar i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BSEC).
Gjatë takimit, Begaj risolli në vëmendje kontributin e Shqipërisë përgjatë Presidencës së shkuar gjashtëmujore të kësaj organizate, bazuar në moton domethënëse: “Të bashkuar për një bashkëpunim paqësor në zonën e BSEC”.
Si anëtare themeluese e BSEC-së, Shqipëria ka punuar për ngritjen e bashkëpunimit në një nivel më të qëndrueshëm ekonomik dhe social, në forcimin e organizatës dhe ndërveprimin me Bashkimin Evropian.
“Shqipëria”, – nënvizoi Presidenti Begaj, “vlerëson se BSEC-ja, si promovuese dhe nxitëse e bashkëpunimit dhe e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, përfaqëson një model të diplomacisë shumëpalëshe politike dhe ekonomike”.
“Ne duhet të vijojmë më tej konsolidimin e Asamblesë Parlamentare dhe Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, me synim rritjen e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin e BSEC-së”, theksoi Begaj.
Presidenti i përcolli Hajiyevit përgëzimet për arritjet e Asamblesë Parlamentare të BSEC-së në partneritetin mes parlamenteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare për zbatimin e projekteve dhe përmbushjen e synimeve të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




