SPAK heton “21 janarin”, Meta: Për të mbajtur nën presion Berishën. Basha përgjegjësi për vrasjet

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka akuzuar Lulzim Bashën se është përgjegjësi kryesor për gjakderdhjen më 21 janar ku humbën jetën 4 protestues në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në një konferencë për mediat, Meta tha se Basha, ministër i Brendshëm në atë kohë, kishte dijeni për gjakderdhjen që do të ndodhte dhe nuk mori asnjë masë për ta parandaluar.
Meta akuzon gjithashtu Edi Ramën se ishte nxitësi i këtij skenari të përgjakshëm.
“Është shumë e qartë se nëse ka një përgjegjësi më 21 janar është përgjegjësi direkte e Lulzim Bashës, ministër i Brendshëm i asaj kohe. Ai është paralajmëruar për gjakderdhjen që parashikohej të bëhej me nxitjen e Edi Ramës dhe është paralajmëruar me letër e shkresë të gjithë skenarin dhe nuk mori asnjë masë as nga policia as nga garda, për të parandaluar vrasjet e shëmtuara që ndodhën në bulevard. Ato ishin si rezultat i projektit të Edi Ramës pasi ishte ai nxitësi i dhunës së 21 janarit”, tha Meta.
Lidhur me vendimin e SPAK për të hetuar dosjen e 21 janarit, Meta u shpreh se kjo bëhet për të hequr vëmendjen nga drejtësia me regji e Altin Dumanit, si dhe për të mbajtur në presion Sali Berishën.
“SPAK është organizatë kriminale që drejtohet nga Dum Dumani. Pas dështimit spektakolar në Kuvend ku përfaqësuesit e opozitës e diskredituan dhe deklaroi se krimi I inceneratorëve ishte krim shumë intelektual, kur qytetarët e dinë që është grabitje pa maska. Drejtësia e me regji rihap 21 janarin, e gjen ditën sot gjoja për të fokusuar këtë çështje së pari për të mbuluar diskreditimin e Dum Dumanit javën e kaluar në Kuvend ku i mekej goja dhe së dyti për të mbajtur nën presion liderin e PD-së pas diskreditimit të plotë të çështjes Partizani dhe nuk habitemi aspak nga këto lojërave të shëmtuara dhe të neveritshme të SPAK dhe tutorëve të tij”, tha Meta.
Pas vendimit për të regjistruar dosjen e 21 Janarit, SPAK nisi sot me marrjen në pyetje të bashkëshortes së Aleks Nikës, Rajmonda Nika dhe xhaxhait të të ndjerit, Mark Nika.
Pas tre orë dëshmie në SPAK, Rajmonda Nika deklaroi për mediat se “dha sqarime dhe disa fakte të reja”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




