Zgjedhjet në Himarë, përcaktohet numri i fletëve të votimit, dhe shpërblimet për komisionerët

Politikë | 2 vite më parë

Fillon numërimi mbrapsht për zgjedhjet e pjesshme vendore në Himarë. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi miratoi të shtunën në seancë publike sasinë e fletëve të votimit që do të prodhohen për çdo qendër votimi për zgjedhjet për Kryetar të Bashkisë Himarë. Këto zgjedhje zhvillohen më 4 gusht 2024.

Nga përpunimi i të dhënave të listës përfundimtare të zgjedhësve marrë nga DPGJC për zgjedhjet e datës 4 gusht, rezulton se në Bashkinë Himarë numri i zgjedhësve është 23.074, ndërsa numri i qendrave të votimit do të jetë 36 QV.

Nisur nga këto të dhëna, sasia e fletëve të votimit që duhet të prodhohet për zgjedhjet për kryetar të Bashkisë Himarë, duke shtuar 2% mbi numrin e zgjedhësve, është 23.535 fletë votimi.

Komisioneri Celibashi, sipas njoftimit për shtyp, caktoi edhe masën e shpërblimit të anëtarëve të komisioneve zgjedhore të ZAZ-së nr. 88 dhe masën e shpërblimit për operatorët teknikë për përdorimin e kamerës video-regjistruese.

“Kryetari dhe zv.kryetari i KZAZ-së do të shpërblehen në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Sekretari i KZAZ-së do të shpërblehet në masën 47.500 (dyzet e shtatëmijë e pesëqind) lekë. Anëtari i KZAZ-së do të shpërblehet në masën 35.000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë. Kryetari i KQV-së do të shpërblehet në masën 4.000 (katër mijë) lekë. Anëtari dhe Sekretari i KQV-së do të shpërblehet në masën 3.500 (tre mijë e pesëqind) lekë. Anëtari i GNV-së do të shpërblehet në masën 6.000 (gjashtë mijë) lekë. Ndërsa operatorët teknikë për përdorimin e kamerës video-regjistruese në QV do të shpërblehen në masën 5 000 (pesëmijë) lekë.”, thuhet në njoftim.

Komisioneri caktoi edhe Vendin e Numërimit të Votave të KZAZ-së nr. 88, Godina e Fushës së Sportit, Rruga “Apelistra”, salla e mbledhjeve e Këshillit Bashkiak, Bashkia Himarë.

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme