Arbi Agalliu flet për RTSH, ja hapat e radhës të mbështetësve të Bashës

Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij po shqyrtojnë çdo modalitet për mënyrën sesi do të vijojnë aktivitetin e tyre politik, pasi Gjykata u shpreh për konfliktin e brendshëm të demokratëve.
Në një intervistë për RTSH-në, deputeti Arbi Agalliu tha se ende nuk është marrë një vendim nëse do të krijohet një forcë e re politike, edhe pse të gjitha gjasat të çojnë tek kjo alternativë. Ai thekson se partia e re do të ishte pro vlerave euroatlantike.
“Ky është një vendim që do të merret. Jemi duke u konsultuar ngushtë me të gjithë faktorët dhe aktorët në jetën politike, me strukturat brenda PD-së, me mbështetësit dhe partnerët tanë. Një gjë është e sigurt: shqiptarët do të kenë alternativën e tyre euroatlantike,” deklaron z. Agalliu.
Deputeti demokrat e sheh të pamundur bashkimin me Partinë Demokratike zyrtare me kryetar Sali Berishën.
Duke ju referuar akuzave për të cilat Berisha u shpall non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe, ai ka tjetër pritshmëri nga SPAK në funksion te hetimeve.
“SPAK duhet nxitur që të vendosë përpara drejtësisë të gjithë ata që kanë futur duart në xhepat e qytetarëve shqiptarë. Nëse je partner me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe, nëse ke një program të qartë, patjetër je një alternativë. Nëse mban në supe ‘personin e padëshiruar’ nga demokracia botërore, se të quajnë të korruptuar, minues të demokracisë dhe bashkëpunues të krimit të organizuar nuk mund të jesh alternativë, sado të duash,” shprehet ai.
Arbi Agalliu tha se do t’i bëhet rekurs vendimit të Gjykatës së Apelit, menjëherë sapo ai të zbardhet.
Gazetare: Anisa Kadesha
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




