Berisha: PD e vendosur, do t’i japim përgjigje emergjente varfërisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha vijon protestën nga dritarja e banesës së tij duke iu folur demokratëve duke thënë se forca e tij politike është e vendosur t’i japë përgjigje emergjente varfërisë që po mjeron gjithnjë e më shumë shqiptarët.
Sipas Berishës, PD është e vendosur që në mandatin e saj të parë të dyfishojë rrogat dhe pensionet në mbarë vendin dhe të hedhë bazat e sigurta për dyfishimin tjetër në vazhdim.
“Kudo në Shqipëri ulërijnë sirenat e skamjes. Kudo në Shqipëri, gjithnjë e më shumë do trokasi në dyert e shqiptarëve varfëria. Partia Demokratike është e vendosur t’i japë përgjigje emergjente varfërisë që po mjeron gjithnjë e më shumë shqiptarët. Partia Demokratike është e vendosur që në një akt të parë të mos ketë shqiptarë në Shqipëri, cilido qoftë ai, fëmijë apo i rritur, pensionistë apo i papunë që të mos marrë minimumin jetik 220 euro në muaj.
Është jetike është emergjencë një shpërndarje e re e të ardhurave në Shqipëri dhe për shqiptarët. Partia Demokratike është e vendosur që në mandatin e saj të parë të dyfishojë rrogat dhe pensionet në mbarë vendin dhe të hedhë bazat e sigurta për dyfishimin tjetër në vazhdim.
Partia Demokratike beson se përgjysmimi i taksave është rruga për të nxitur iniciativën e lirë të shqiptarëve. Çdo njeri që dëgjon këto premtime, me të drejtë do të shtrojë pyetjen, ku do i merrni paratë? Ua them këtu me bindje absolute se paratë ekzistojnë por ato vidhen e vidhen dhe vetëm vidhen”, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




