Berisha: Sistemin TIMS e vendosi SHBA, sot në duart e krimit

Politikë | 2 vite më parë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se sistemet TIMS dhe E-Gate u instaluan nga SHBA dhe garantuan liberalizimin e vizave, ndërsa sot sipas tij, këto sisteme janë në duart e krimit.

Sipas Berishës, në vitin 2009, SHBA vendosën në Shqipëri në pikat e kontrollit të kufirit njërin nga sistemet dixhitale më të avancuara të kohës, sistemin TIMS dhe E-Gate.

“Këto sisteme të një sigurie të lartë, të një mbrojtje të plotë kibernetike, e bënë Shqipërinë një vend, për të cilin votuan të gjitha vendet e BE për heqjen e vizave.

Erdhën zyrtarët më të lartë të zbatimit të ligjeve, drejtori i përgjithshëm i policisë federale gjermane dhe zyrtarë të tjerë të zbatimit të ligjit nga vendet e tjera. Ata mbetën të befasuar kur panë sistemet e kontrollit të kalimit të kufirit. Po sot o miq? A e dini ju se këto sisteme janë në duart e krimit? Se këto  sisteme me Taulant Ballën, Edi Ramën, Met Rrumbullakun, iu dorëzuan krimin”, tha Berisha para protestuesve demokratë të mbledhur poshtë banesës së tij.

Berisha theksoi se kjo është fytyra e vërtetë e mazhorancës socialiste të Edi Ramës.

“Te këto dosje është fytyra e vërtete e qeverisë së Edi Ramës. Janë krimi i dytë më i shëmtuar në historinë e kombit pas shpopullimit, krijimi i narkoshtetit.

Te këto dosje që mercenari Dumani u fsheh qytetarëve shqiptarë për të mbrojtur si puthador, si lake, Edi Ramën dhe kriminelët e tjerë me pushtet, qëndrojnë projekte makabre të transportit të drogës, kanabizimit të Shqipërisë”, ka theksuar Berisha.

“Miqtë e mi, këto dosje faktojnë se bota mizore e nëndheshme e krimit ka emëruar në Shqipëri ministra dhe mbiministra.

Se kjo botë e pashpirt ka diktuar plaçkitje dhe grabitje pafund të pronave të shqiptarëve.  Se kryeministria, se ministria e rendit, se drejtësia janë në kthetrat e pamëshirë të tyre. Se nuk ka qelizë, nuk ka sekret që nuk u është dhënë këtyre bandave dhe kriminelëve që janë fuqia e vërtetë e shtetit të Edi Ramës”, u shpreh Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme