Mungoi në seancat dhe komisionet parlamentare pasi ndodhet në “arrest shtëpie”, Kuvendi i ndërpret pagën Berishës

Kuvendi i ka ndërprerë rrogën e deputetit ish-kryeministrit Sali Berisha. Burime për RTSH 24 bëjnë me dije se Berishës i është ndërprerë rroga që prej janarit të këtij viti, ndërsa shkak është bërë mungesa e tij në seancat dhe komisionet parlamentare. Po të njëjtat burime sqarojnë se paga e deputetit përcaktohet mbi pjesëmarrjen në seancat plenare, në komisionet parlamentare të përhershme apo të posaçme dhe në veprimtaritë jashtë kuvendit, që lidhen me detyrat e deputetit.
Ish-kryeministri Berisha ndodhet në “arrest shtëpie” që prej dhjetorit të vitit 2023. Në fund të muajit qershor, Berisha mbush 6 muaj mungesë në parlament, që mund të çojë në humbje të mandatit të deputetit.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi më 30 dhjetor të vitit të kaluar zëvendësimin e masës së sigurimit nga detyrim paraqitje në arrest shtëpie nën mbikëqyrje policore ndaj Berishës, i cili ndodhet nën hetim për çështjen e privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani.
Vendimi erdhi pasi për disa javë rresht, ish-kryeministri refuzoi të përmbushte masën e parë detyrim paraqitje, duke e quajtur si antikushtetuese.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




