Rezoluta antikorrupsion e PS të hënën në Kuvend, Çuçi: S’ka mbivendosje kompetencash. Tabaku: Nuk ka qartësi

Politikë | 2 vite më parë

Draft-rezoluta antikorrupsion e propozuar nga Partia Socialiste, do të  diskutohet të hënën (27 maj) në Kuvend, pasi u miratua në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve, që u shoqërua me debate.

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku ka shprehur rezerva lidhur me propozimin e PS-së, teksa mësohet se ka deklaruar se rezoluta nuk ka informacione për të kuptuar konkretisht se çfarë do të ndodhë me këtë komision të posaçëm dhe nëse do t’i merren funksione komisioneve parlamentare dhe Këshillit Kombëtar të Integrimit. Po ashtu, Tabaku ka theksuar se ata nuk kanë as siguri se nuk do të preket pavarësia e institucioneve të drejtësisë, veçanërisht  SPAK.  

“Rezoluta juaj nuk ka informacione për procesin që do ndjekë. Nuk kemi asnjë informacion se çfarë do ndodhë me këtë komision të posaçëm se çfarë funksionesh do i merren komisioneve permanente dhe gjithashtu edhe KKIE. Keni bllokuar KKIE me vullnet për të penguar dakordësinë që kemi pasur për krijimin e këtij institucioni dhe bllokuar punën e këtij institucioni me vetëdije. Kështu doni t’i merrni atributet që i cakton ligji miratuar bashkërisht KKIE? Ne e kemi të shenjtë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë sidomos SPAK. Ne nuk kemi asnjë siguri që do ruhen këto pavarësi institucionale nga ky komision. Mungesa e kësaj sigurie na bën të jemi skeptikë duke parë punën tuaj. Parlamenti ka dhe 5 muaj punë dhe nuk mund të themi që qeverisë i lindi vullneti politik për të luftuar korrupsionin pas 3 mandateve në qeveri me thellim korrupsioni”, ka deklaruar Tabaku.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PS, Bledi Çuçi iu përgjigj Tabakut duke deklaruar se s’ka mbivendosje me kompetencat e asnjë komisioni tjetër dhe as me punën e Këshillit Kombëtar të Integrimit. Po ashtu, Çuçi kërkoi edhe gjithëpërfshirje.

“Nuk mund ta bëjë qeveria këtë gjë prandaj po marrim një iniciativë të tillë në Parlament. Qeveria është një nga institucionet që do të raportojë për mirëqeverisjen dhe luftën kundër korrupsionit. S’ka asnjë merak për mbivendosje kompetencash nga Këshilli i Integrimit Europian apo komisionet e tjera. Procesi Screenig është burimi kryesor që na çon në marrjen e kësaj iniciative duke e shpallur prioritet luftën kundër korrupsionit dhe mirëqeverisjen. Pa diskutim që mazhoranca ka barrën kryesore sepse i është deleguar sovraniteti nga qytetarët, por ne kemi kërkuar gjithëpërfshirje në Parlament për ta udhëhequr këtë iniciativë“, deklaroi Çuçi.

Partia Socialiste ka propozuar ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Antikorrupsion, që do të adresojë ndërmarrjen e reformave që synojnë mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme