Amnistia penale, sa përfituan të dënuarit për korrupsion? Për herë të parë, ministri i Drejtësisë publikon të dhënat

Politikë | 3 vite më parë

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka pranuar për herë të parë se nga ligji i amnistisë penale përfituan disa zyrtarë jo të nivelit të lartë, të dënuar për veprën e korrupsionit, shpërdorimit të detyrës apo shkeljes së barazisë në tendera, por ai refuzoi komentet se vendimi shkonte kundër interesit të drejtësisë dhe interesit publik.

Ministri i Drejtësisë e quajti “korrupsion të vogël”, dënimin e marrë nga organet e drejtësisë antikorrupsion të disa zyrtarëve. “Deri tani, janë rreth 80 nëpunës të mesëm që kanë përfituar ulje dënimi nga kjo amnisti. Ata janë të dënuar për vepra të ndryshme, si: për ushtrim të ndikimit të paligjshëm, janë nëpunës të dënuar për shpërdorim detyre apo korrupsion të vogël. Këta janë nivel zyrtarësh të ulët, ish punonjës hipoteke psh, ka edhe mjekë. Nga ky numër prej 80 personash, vetëm 19 prej tyre kanë dalë nga burgu, për shkak se koha e mbetur për të vuajtur ka qenë më e vogël sesa 1.5 vjet për burrat dhe 2 vjet për gratë,” u shpreh ministri i Drejtësisë në emisionin “Pa censurë” në RTSH.

Duke mbojtur parimin se “çdokush meriton një mundësi të dytë, ministri i Drejtësisë vuri në dukje mesazhin kryesor të dhënë nga maxhoranca dhe pjesa më e madhe e grupit parlamentar të PD, që miratoi amnistinë, se ky ligj saboton drejtësinë në luftën kundër korrupsionit.

“Kur u krijua Prokuroria dhe Gjykatat e Posaçme Antikorrupsion, vullneti ynë, vullneti i politikës ishte ndëshkimi i zyrtarëve të lartë dhe lufta kundër krimit të organizuar. Në këtë amnisti janë përjashtuar në mënyrë kategorike, qoftë edhe nga ulja e dënimit, zyrtarët e lartë dhe subjektet e krimit të organizuar. Ne nuk po japim mesazhin që po tolerojmë korrupsionin e zyrtarëve të lartë, por u japim një mundësi për riintegrim një kategorie zyrtarësh, në një kohë më të shpejtë sesa dënimi që kishin marrë, përmes uljes së dënimit,” tha ministri Ulsi Manja gjatë intervistës me gazetaren Elona Meço, në RTSH. 

PJESË NGA INTERVISTA ME MINISTRIN E DREJTËSISË, ULSI MANJA NË EMISIONIN “PA CENSURË”

Elona Meço: Pse maxhoranca dhe opozita vendosën që prej ligjit të amnistisë të përfitojnë persona të hetuar nga SPAK dhe të dënuar nga GJKKO?

Ulsi Manja: Amnistia është ekskluzivitet i Kuvendit të Shqipërisë dhe, duke qenë një ligj me natyrë delikate, që interferon në një pushtet të pavarur siç është pushteti gjyqësor, ka edhe disa kufizime, që janë paraparë në Kushtetutë dhe në Kodin Penal. Kuvendi, në rastin konkret, e ka votuar këtë ligj amnistie me 116 vota. Ligji i amnistisë, përveçse është një institut i veprës penale, në fund të fundit, është një akt mëshire i Kuvendit të Shqipërisë. Amnisti e plotë, për shkak të veprës apo të subjektit, konfirmoj që nuk ka asnjë zyrtar të lartë apo ish zyrtar të dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit. Ndërsa ulja e dënimit, ndryshe nga amnistia e plotë, nuk e shuan dënimin, pasi personi quhet përsëri i dënuar. Mesazhi i kësaj amnistie nuk shkon kundër interesit të drejtësisë, as kundër interesit publik, por lidhet me qëllimin që ka dënimi: edukim, rehabilitim dhe riintegrim të personave të dënuar.

Elona Meço: Sa persona të tillë ka që kanë përfituar nga amnistia për veprën penale të korruposionit, shpërdorimit të detyrës apo shkeljes së barazisë me tenderat?

Në rastin konkret, deri tani, janë rreth 80 nëpunës të mesëm që kanë përfituar ulje dënimi nga kjo amnisti. Ata janë të dënuar për vepra të ndryshme, që futen në gërmën “a” të nenit 78a të Kodit të Procedurës Penale, që do të thotë se janë nëpunës të dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm, janë nëpunës të dënuar për shpërdorim detyre apo korrupsion të vogël. Këta janë nivel zyrtarësh të ulët, ish punonjës hipoteke psh, ka edhe mjekë. Nga ky numër prej 80 personash, vetëm 19 prej tyre kanë dalë nga burgu, për shkak se koha e mbetur për të vuajtur ka qenë më e vogël sesa 1.5 vjet për burrat dhe 2 vjet për gratë.

Elona Meço: Ish-Kryetari i Bashkisë së Lezhës, që është ish-zyrtar i lartë, ka përfituar nga amnistia dhe është në shtëpi, ndërkohë që ka një proces në SPAK me një akuzë të ngjashme për të cilën ka përfituar nga amnistia.

Ulsi Manja: Ish-Kryetari i Bashkisë së Lezhës nuk është dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit. Është dënuar në shkallë të parë nga Gjykata e Lezhës dhe e Apelit në Shkodër. Ai ka përfituar nga ulja, sepse i kishte mbetur një vit dënim pa vuajtur, ndërkohë për çështjen tjetër që ka në SPAK, që është për ndjekje penale, nuk ka përfituar, por ka dalë nga burgu, sepse ka qenë pa masë sigurimi nga SPAK.

Ulsi Manja: Përse qeveria dhe opozita ranë dakord që vepra e korrupsionit të përfshihet në ligjin e amnistisë, qoftë edhe për zyrtarët e nivelit të ulët? Pse duhet amnistuar korrupsioni, shpërdorimi i detyrës, abuzimi me tenderat?

Elona Meço: Duhet të kuptuar se këta janë persona të dënuar me vendim të formës së prerë. Drejtësia e ka kryer punën e vet me këta persona. Në këtë moment, është në përgjegjësinë e Ministrisë së Drejtësisë dhe të Drejtorisë së Burgjeve që të merret me trajtimin e këtyre personave të dënuar për të arritur qëllimin e dënimit, edukimi, rehabilitimi dhe riintegrimi. Ne gjykojmë që dënimi për këtë kategori subjektesh e ka arritur qëllimin.

Elona Meço: Pse duhet të jeni tolerantë me korrupsionin, vetëm se çmoni se dënimi ia ka arritur qëllimit?

Ulsi Manja: Për t’ju dhënë përgjigje, s’po e bëj krahasimin me korrupsionin, por veprën e shkeljes së barazisë në tendera. Përse një person i dënuar për “shkelje të barazisë në tendera” paraqet rrezikshmëri më të madhe shoqërore se një person tjetër, i dënuar jo nga SPAK, por nga Gjykata e Juridksionit të Përgjithshëm, i dënuar për veprën penale “krim kundër jetës”, me 15 vjet heqje lirie, ka vuajtur 14 vjet burg dhe parlamenti i ka dhënë mundësinë që të bashkohet me familjen një vit më herët sesa mbarimi i dënimit. Nëse shkojmë tek koncepti i rrezikshëmrisë së veprës, ky, në kuptimin e ligjit, është më i rrezikshëm si krim, sesa shkelja e barazisë në tendera. Me uljen e dënimit në këtë amnisti, Kuvendi ka respektuar parimin kushtetues të barazisë juridike. Çdokush në këtë vend meriton një mundësi të dytë.

Elona Meço: Çështja është se ne kemi dëgjuar shumë retorikë politike për dhënien fund të pandëshkueshmërisë dhe kur nis ndëshkimi i drejtësisë, nis edhe toleranca e politikës ndaj të korruptuarve. A nuk duhej që ju në këtë amnisti të kishit treguar zero tolerancë për korrupsionin, në çdo nivel?

Ulsi Manja: Kur u krijua Prokuroria dhe Gjykatat e Posaçme Antikorrupsion, vullneti ynë, vullneti i politikës ishte ndëshkimi i zyrtarëve të lartë dhe lufta kundër krimit të organizuar. Në këtë amnisti janë përjashtuar në mënyrë kategorike, qoftë edhe nga ulja e dënimit, zyrtarët e lartë dhe subjektet e krimit të organizuar. Ne nuk po japim mesazhin që po tolerojmë korrupsionin e zyrtarëve të lartë, por u japim një mundësi për riintegrim një kategorie zyrtarësh, në një kohë më të shpejtë sesa dënimi që kishin marrë, përmes uljes së dënimit.

Gazetare: Elona Meço

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme