Prezenca e OSBE dhe Kuvendi i Shqipërisë, memorandum për të fuqizuar partneritetin

Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Klarisë Pastori (o. Clarisse Pasztory) dhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi për të rinovuar dhe fuqizuar partneritetin mes dy institucioneve.
Sipas memorandumit, Prezenca do të mbështesë Kuvendin në përmirësimin e funksioneve të tij legjislative, mbikëqyrëse dhe përfaqësuese, si edhe administratën parlamentare në përmbushjen e funksioneve të saj, në mënyrë të efektshme dhe gjithëpërfshirëse.
Prezenca dhe Kuvendi do të bashkëpunojnë edhe për të shtuar ndërveprimin e Kuvendit me qytetarët dhe për të krijuar e vënë në përdorim mjete novatore për një sistem legjislativ transparent, që përmirëson aksesin në ligjet e konsoliduara dhe arkivat parlamentare.
“Kuvendi do të vijojë të fuqizojë partneritetin e suksesshëm me Prezencën e OSBE-së për avancimin e reformave demokratizuese dhe integrimin evropian të Shqipërisë,” nënvizoi znj. Nikolla në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes.
“Ne jemi krenarë që qëndrojmë si një partner i palëkundur i Kuvendit të Shqipërisë. Ne jemi të gatshëm të punojmë së bashku në përmirësimin e cilësisë së legjislacionit, shërbimeve legjislative, përfaqësimit politik dhe mbikëqyrjes. OSBE-ja në Shqipëri mbetet e përkushtuar për të mbështetur Kuvendin në këto përpjekje,” tha znj. Pastori.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




