Wilders nuk do të jetë Kryeministër i Holandës. Lideri i partisë së ekstremit të djathtë nuk mori mbështetje nga koalicioni

Politikani i të djathtës ekstreme holandeze Gert Vilders ka thënë se është i gatshëm të heqë dorë nga posti i kryeministrit, në një përpjekje për të lehtësuar formimin e një qeverie të re të krahut të djathtë.
Vendimi vjen katër muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme në Holandë, kur partia e tij e Lirisë fitoi shumicën e votave. Vilders ishte përfshirë në bisedime me aleatët e mundshëm që nga zgjedhjet e 22 nëntorit, por ato nuk dhanë asnjë rezultat.
“Unë mund të bëhem kryeministër vetëm nëse të gjitha partitë në koalicion na mbështesin, nuk ndodhi kështu”, – shkroi ai në platformën e mediave sociale X, ku më tej shtoi “Do të doja një kabinet qeveritar të krahut të djathtë. Më pak azilkërkues dhe emigracion, por dashuria për vendin tim dhe votuesit është më e madhe dhe më e rëndësishme se pozicioni im.”- thuhet në reagimin e tij.
Në një postim tjetër ai theksoi se një ditë do të bëhet kryeministër, pasi zëri i miliona holandezevë do të dëgjohet. Në zgjedhjet e 22 nëntorit vitin e kaluar, Partia e Vilders fitoi 37 vende, shumë më tepër se sa ishte parashikuar, por shumë më pak se një shumicë në parlamentin prej 150 vendesh. Në ato zgjedhje, fitorja e populistit të djathtë antiislamik Gert Vilders tronditi politikën holandeze, por edhe Evropën.
Gazetare: Vjollca Zharri
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



