Rama në Londër: Britania e Madhe ka vënë në dispozicion 4 mld euro për projektet strategjike në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me drejtorin ekzekutiv të “UK Export Finance”, Tim Reid. Në këtë takim është diskutuar mbi investimet strategjike të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri për të cilat ajo do të vendosë në dispozicion 4 miliardë euro.
“Londër – Takim me drejtorin ekzekutiv të “UK Export Finance”, Tim Reid, ku diskutuam mbi volumin 4 miliardë € që Mbretëria e Bashkuar ka vënë në dispozicion të projekteve strategjike të Shqipërisë🇦🇱”, shkruan kryeministri Rama në Facebook, shoqëruar me fotot e takimit me drejtorin ekzekutiv të “UK Export Finance”, Tim Reid”.
Nga ana e tij, drejtori Ekzekutiv i Eksportit dhe Financave (UKEF) Tim Reid, pas takimit me kryeministrin Edi Rama dhe Ministren e Financave Delina Ibrahimaj u ka bërë thirrje bizneseve britanike të shfrytëzojnë mundësinë për të eksportuar në Shqipëri duke përdorur termat atraktivë të UKEF-it, për të ndihmuar rritjen e financimit të kredive.
“Mirëpresim celjen e Dhomës së Tregtisë në Shqipëri. Kjo organizatë e re do të ndihmojë bizneset britanike dhe ato shqiptare. Marrëdhënia e ngushtë me Shqipërinë do të hapë një fazë të re bashkëpunimi në sektorë të tillë si energjia e rinovueshme, shëndetësia dhe transporti”, tha Tim Reid.
Ndërkaq, ditën e djeshme në takimin me kryeministrin britanik, Rishi Sunak, kreu i qeverisë shqiptare ra dakord me homologun e tij edhe për ngritjen e Dhomës Tregtare të Britanisë së Madhe në Shqipëri.
Gjithashtu parashikohet që të dyfishohet fondi i gatishmërisë për përballimin e rrezikut të tregut financiar për financimin e eksporteve britanike në Shqipëri në 4 miliardë stërlina, gjë për të cilën kryeministri Rama ka takuar edhe drejtorin ekzekutiv të “UK Export Finance”, Tim Reid.
“Në fund, të dy kryeministrat mirëpritën progresin në bashkëpunimin e biznesit dhe bashkëpunimin universitar, duke përfshirë hapjen e Dhomës së re Britanike të Tregtisë në Shqipëri, dyfishimin e fondit të gatishmërisë për përballimin e rrezikut të tregut për financimin e eksporteve britanike për Shqipërinë në 4 miliardë stërlina, për lehtësimin e investimeve dhe thellimin e lidhjeve mes universiteteve të Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar”, thuhet në deklaratën e përbashkët për median.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



