Berisha: Rama vrapon të bëhet miliarder, të ndalojmë shkretimin e vendit

Nga Selenica, ish-kryeministri Sali Berisha është ndalur tek shpopullimi i vendit si pasojë e largimit të rinjve, ku për të, fajtore është keq qeverisja. Sipas Berishës, rrogat dhe pensionet që marrin sot shqiptarët, janë 30% më pak krahasuar me vitin 2013 ndaj për të ështe me rëndësi bashkimi, me qëllim ndalimin e fenomenit të braktisjes së vendit.
“Ne jemi pakësuar dhe po pakësohemi, jemi shkretuar dhe po shkretohemi me një shpejtësi të pabesueshme. Ne mblidhemi në një moment kur me statistika 38% e qytetarëve të Vlorës kanë braktisur Vlorën gjatë 9 viteve të fundit. Ne mblidhemi në një moment kur me statistikë të saktë, 34 % e shqiptarëve kanë braktisur Shqipërinë për BE-në dhe vende të tjera. Kurrë në histori, një komb në një hark kohor kaq të shkurtër, nuk është shkretuar siç po shkretohemi ne shqiptarët, dhe po të kemi parasysh se 80% e të larguarve nga Shqipëria janë të rinj, kjo e thellon edhe më shumë dramën, katastrofën tonë, mbasi e vërteta është se të humbasësh 80% të rinjve, ke humbur një gjeneratë të tërë dhe më shumë se një gjeneratë. Është në detyrën tonë, në detyrën e çdo demokrati e demokrate, të çdo qytetari pa parti por edhe të çdo socialisti që e do këtë vend, të bashkohemi të ndalojmë këtë rrokullisje të madhe, të bashkohemi sepse nuk ka asnjë shkak natyror që ne të braktisin këtë tokë të bekuar”, tha Berisha.
Gjatë prezantimit të kandidatit të koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” në bashkinë e Selenicës, Leonard Rakipaj, Berisha tha se sipas tij Rama nuk ka synim të parë rritjen e mirëqenies së qytetarëve por vrapon të bëhet miliarder.
“Çfarë janë sekserët e vet? Janë kompani që blejnë e shesin energji. Shesin energjinë këtyre sekserëve me 15-20-30 euro dhe këta e shesin në bursë me 150-200 euro dhe të gjithë fitimin e ndajnë me qeveritarët e ndajnë me ministrat. Kjo është e vërteta.Nga të gjitha këto qytetarët nuk fitojnë asgjë. Ata marrin sot një rrogë e cila po të krahasohet me inflacionin, me rritjen e çmimeve gjatë këtyre 9 viteve, ka fuqi blerëse minimumi 30% më pak se në 2013. Ata marrin sot një pension me të cilin blejnë sot 30% më pak se në 2013, prandaj dhe një arritje të madhe, historike dhe që ishte në vitin 2013 ne ishim njerëzit më të mirë të paguar në Ballkan. Ne kaluam për rroga dhe pensionet, të gjitha kombet e Ballkanit, përfshi edhe dy vende të BE-së, Rumaninë dhe Bullgarinë.
Gjatë këtyre 8 viteve ne u rrokullisëm përsëri të fundit, dhe sot jemi me paga 30-50 % poshtë Kosovës. Po pse, sepse çdo kryeministër, çdo qeveri ka synim të parë rritjen e mirëqenies së qytetarëve të vet. Pagesën, shpërblimin për qytetarët e vet, për pensionistët e vet. Dhe kjo është akti më i përgjegjshëm që mund të bëjë. Kurse ky thotë, mirë e kanë kaq, nuk vuan kush për bukë këtu thotë, çfarë u duhet. Po për vete vrapon të bëhet miliarder“, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



