Zhupa mbështet kandidaturën e Artan Fugës për Akademinë e Shkencave

Deputetja demokrate Ina Zhupa ka ngritur sërish shqetësimin që Akademia e Shkencave po drejtohet nga Skënder Gjinushi në kushtet e paligjshmërisë. Nga ana tjetër, Zhupa ka mbështetur kandidaturën e Artan Fugës për kreun e Akademisë së Shkencave
“Akademia e Shkencave fatkeqësisht ka qëndruar në paligjshmëri me vite të tëra për shkak se kryetari i saj nuk ishte as akademik i përhershëm dhe ishte po ashtu kryetar partie kur u zgjodh kryetar i akademisë, duke shkelur ligjin në mënyrë flagrante. Edhe pse i padekretuar nga presidenti, duket se po e përfundon mandatin e tij, të cilin unë e kam dërguar me mbështetjen e firmave të kolegëve të nderuar, në Gjykatën Kushtetuese. Sepse besoj se, ligjshmëria e një institucioni të tillë lidhet drejtpërdrejtë edhe me besueshmërinë dhe aktivitetin në shërbim të vlerave, dhe jo të antivlera.
Në përgjigje të letrës publike të akademikut Artan Fuga, çdo shqetësim i ngritur prej tij është tërësisht i drejtë dhe është për të ardhur keq gjendja në të cilën është akademia sot dhe përpjekjet për stanjacion dhe kapje. Mbështes hapur të drejtën e akademikut Fuga për të garuar për kryetar dhe do ishte nder për vendin që të kishim një akademik në lartësinë e tij në krye të këtij institucioni të shkencës”, tha Zhupa në një deklaratë për mediat.
Zhupa ka folur edhe realizonin e paraqitur për ndryshimet ligjore në Akademinë e Shkencave, ku ngritit disa pyetje për deputetët.
“Deputetët paraqesin arritjet e akademisë së shkencave në këto 4 vite në relacionin e ligjit. A mund të na sqarojnë deputetët si i kanë marr këto të dhëna? A ka shkresa zyrtare me akademinë e shkencave? Cilat janë organet që ju janë përgjigjur dhe pse ka vetëm arritje dhe jo mangësi? A mund të na sqarojnë deputetët se cila është nevojë për të na paraqitur këto arritje sipas tyre kur kërkojnë një ndryshim ligji që nuk lidhet fare me këto arritje?
Për të adresuar në mënyrë institucionale shqetësimet kam kërkuar në komisionin e edukimit që akademiku Fuga dhe akademik të tjerë që kanë ngritur shqetësime publike të dëgjohen në një seancë dëgjimore në komisionin e edukimit. Që nga tetori 2022, gjithashtu kam kërkuar në të drejtën time kushtetuese një seancë dëgjimore me kryetarin dhe kryesinë e akademisë për veprimtarinë shkencore të akademisë, për veprimtarinë ekonomiko-financiare dhe për projektet kombëtare shkencore.
Është rekord i zi se si në 4 vite kryetari i Akademisë së Shkencave nuk ka shkuar asnjëherë në kuvend për t’u pyetur dhe për të raportuar. Beteja për Akademinë nuk është betejë për emra, por betejë për shkencën, për historinë, për dinjitetin dhe ligjshmërinë. Kapja politike edhe tinëzare e saj prek shtyllën e intelektualëve që duhet jenë në krye të diskutimeve të çështjeve kombëtare, ekonomike, identitare, sociale”, tha Zhupa.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



