Emigracioni/ Rama vizitë zyrtare 3-ditore në Britani, do takohet me Rishi Sunak

Politikë | 4 vite më parë

Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë më 22 mars drejt Mbretërisë së Bashkuar me ftesë të qeverisë angleze. Në vizitën e tij 3-ditore zyrtare, kreu i qeverisë do të zhvillojë një sërë takimesh me krerët e lartë të shtetit.

Kryeministri Rama do të takohet me homologun anglez Rishi Sunak. Në fokus të bisedimeve mes tyre, pritet të jetë çështje e emigrantëve dhe bashkëpunimi mes dy qeverive.

Shqipëria dhe Britania kanë thelluar bashkëpunimet në tre fusha me interes të përbashkët: a) çështjet e sigurisë dhe punët e brendshme (me vëmendje të posaçme te lufta kundër krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm); b) rritja ekonomike dhe investimet; c) novacioni, rinia dhe arsimi.

Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe janë vendosur në 9 nëntor 1921. Qeveria britanike njohu edhe qeverinë shqiptare të dalë pas 29 nëntorit 1944, por misioni britanik u largua në prill të vitit 1946 për shkak të kufizimeve, që qeveria shqiptare e kohës, vendosi lidhur me lëvizjen e anëtarëve të këtij misioni. Incidenti i Kanalit të Korfuzit, në maj të viti 1946, shënon dhe ndërprerjen përfundimtare të këtyre marrëdhënieve.

Marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve u rivendosën më 29 maj 1991 nëpërmjet një komunikate të përbashkët të të dyja palëve.

Britania e Madhe në mënyrë konstante ka mbështetur anëtarësimin e vendit tonë në NATO dhe BE. Nëpërmjet programeve të shumta të bashkëpunimit ajo ka një kontribut të veçantë në drejtim të forcimit të sigurisë dhe të shtetit ligjor në vend (përmes financimit të projekteve në mbështetje të sistemit të drejtësisë dhe asistenca britanike në kuadrin e programit asistencës PAMECA III ), kualifikimit të të rinjve shqiptarë në universitetet prestigjoze britanike, si dhe në shkollat e larta ushtarake britanike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme