Vizita në Greqi/ Kryeparlamentari grek pret Ramën: Na intereson anëtarësimi i Shqipërisë në BE

Politikë | 4 vite më parë

Kryeministri Edi Rama, në kuadër të vizitës së tij në Greqi për hapjen e ekspozitës me veprat e tij të artit, është takuar sot (21 mars) me kryetarin e Parlamentit helen, Costantine Tassoulas.

Gazetarja e RTSH Denada Shkodrani, e cila ndodhet në Greqi për të ndjekur nga afër vizitën e kreut të qeverisë në Athinë, ka bërë me dije se në takimin mes Ramës dhe kryeparlamentarit Tassoulas, ky i fundit ka vënë theksin te anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ndërsa garantoi mbështetjen e Greqisë në këtë drejtim.

“Na intereson anëtarësimi i Shqipërisë në BE” tha kryetari i parlamentit grek, Costantine Tassoulas, duke vënë në dukje dhe të mirat e këtij integrimi 

“Në 40 vite Greqia ka përfituar miliarda euro nga BE” nënvizoi kryeparlamentari për kryeministrin Edi Rama, raporton gazetarja e RTSH Denada Shkodrani.

Ndërsa kryeministri Rama u ndal tek urat e forta mes dy vendeve “qytetarët grekë në vendin tonë dhe qytetarët shqiptarë në Greqi.”

Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Parlamentit Konstantinos Tasoulas  bashkëvlerësuan rolin e minoritetit grek në Shqipëri dhe komunitetit shqiptar në Greqi, si ura solide miqësie mes vendeve.

“Është kënaqësi e veçantë që jemi sot në Athinë, marrëdhëniet tona janë shumë të mira dhe në përmirësim të vazhdueshëm. Dëshira e dyanshme për t’i forcuar këto marrëdhënie çdo ditë, është shumë e madhe dhe baza e këtyre marrëdhënieve janë pa dyshim të dy popujt tanë dhe urat e forta mes nesh, janë qoftë qytetarët grekë që jetojnë në Shqipëri dhe qytetarët shqiptarë që jetojnë në Greqi”, u shpreh Kryeministri Rama.

Nga ana e tij, Kryetari Tasoulas shprehu mbështetjen e Greqisë në rrugëtimin europian të Shqipërisë, duke vlerësuar progresin e bërë nga vendi ynë në këtë aspekt.

“Me të drejtë vendi juaj synon ecjen drejt integrimit evropian, me të drejtë vendi ynë mbështet rrugëtimin evropian të Shqipërisë. Me të drejtë të dyja vendet tona, duke pasur ura lidhëse minoritetin grek në Shqipëri dhe komunitetin shqiptar ne Greqi, po ecin përpara”, u shpreh ai gjatë takimit.

Foto: Rama takon Costantine Tassoulas,  © RTSH

Dhurata simbolike

Gjatë takimit kryeministri Rama i dorëzoi një dhuratë simbolike kryetarit të parlamentit grek, një shishe verë “për tu qetësuar pas seancave të nxehta në Kuvend”  i tha Rama me batutë.  

Foto: Rama takon Costantine Tassoulas,  © RTSH

Pas takimit me kryeparlamentarin grek, Rama ka zhvilluar një vizitë të shkurtër në ekspozitën e Parlamentit.

Takimi me presidenten

Po ashtu, gjatë kësaj të marte, Kryeministri Rama u takua me Presidenten greke, Katerina Sakellaropoulou. Mësohet gjithashtu se po sot, do të mbahet forumi ekonomik ku do jenë të pranishme kompani të mëdha që veprojnë në të dyja vendet.

Ndërkohë ditën e djeshme (20 mars), Kryeministri Rama është takuar me homologun grek, Kyriakos Mitsotakis dhe ministrin e jashtëm, Nikos Dendias, të cilët ishin të ftuar edhe në ekspozitën e tij.

Ekspozita

Në këto takime, Rama shoqërohej nga Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj. Kryeministri grek ka deklaruar se Rama ndodhet në Athinë “si një artist dhe jo si kryeministër”. 

Pas vizitës në ekspozitë, Mitsotakis dhe Rama kanë darkuar në Pallatin Maximos.

Po ashtu, gjatë ekspozitës së Kreut të qeverisë shqiptare në Pallatin Zappeio në Athinë, Rama shoqërohej nga familja e tij, bashkëshortja Linda Rama dhe djali i tyre Zaho. Në ekspozitën e quajtur “Improvizimet”, kryeministri paraqiti vepra dhe skulptura mikse, ndërsa inaugurimi u krye nga Nikos Dendias.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme