15 vjetori i Pavarësisë/ Begaj pritet nga Osmani: Askush nuk mund të pengojë Kosovën të ndërtojë e pavarur të ardhmen e saj

Presidenti i vendit, Bajram Begaj ka nisur këtë të enjte një vizitë dyditore në Kosovë, me rastin e festës së 15 vjetorit të Pavarësisë së kësaj të fundit. Në fillim të vizitës, Begaj është pritur nga homologia e tij Vjosa Osmani, ku shprehu mbështetje të palëkundur për autoritetet e Kosovës në adresimin e sfidave me të cilat po përballen. Duke u ndalur tek rrugëtimi euroatlantik i Kosovës, Begaj shprehu mbështetje të plotë si dhe besimin se qytetarët e Kosovës së shpejti do të mund të udhëtojnë pa viza në hapësirën e BE-së. Gjatë takimit Begaj tha se “askush nuk do të mund ta pengojë Kosovën të ndërtojë e lirë dhe e pavarur të ardhmen e saj dhe askush nuk mund të kërcënojë sovranitetin e saj territoria” tha ai ndërsa shtoi se “Shqipëria do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës”.
“Kënaqësi e veçantë të jem në Prishtinë me rastin e 15 vjetorit të Pavarësisë. Urova në emër të të gjithë shqiptarëve Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, për këtë përvjetor kaq të rëndësishëm. 15 vite janë shumë pak për një komb, e për më tepër për një komb të lashtë. Por këto 15 vite Pavarësi të Kosovës kanë demonstruar në mënyrë shëmbullore e të sintetizuar vlerat më të mira e shumë shekullore të kombit shqiptar.
Vlerësova ecurinë e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe i konsiderova jo vetëm vëllazërore e të një natyre strategjike, por edhe shumë dinamike. Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Kosovës ëshë unikale për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën euroatlantike të të dy shteteve.
Kosova e Pavarur i ka dhënë jo vetëm shtetasve të saj dinjitetin e merituar dhe të shumëpritur shtetëror, por njëkohësisht e ka bërë rajonin tonë më të paqtë e të sigurtë, si dhe kombin shqiptar të lirë të rigjejë rrugën e munguar padrejtësisht të bashkëpunimit kombëtar“, shkruan në Facebook Begaj.
Nga ana e saj, Presidentja Vjosa Osmani e falënderoi Presidentin Begaj për urimet vëllazërore dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e gjithanëshme të Shqipërisë në të gjithë këtë rrugëtim të vështirë të Pavarësisë së Kosovës.
Aktivitetet dhe Takimet:
16/02/2023
11:00 – Pritja me ceremonia shtetëror nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh. S. Dr. Vjosa Osmani-Sadriu.
11:00-11:45 – Takim mes dy Presidentëve.
16:15-16:45 – Takim me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, SH. T. Z. Albin Kurti
18:00-20:00 – Koncert në Filarmoninë e Kosovës.
17/02/2023
08:45–08:50 – Vendosje të kurorave në vendprehjen e ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi
09:50–10:00 – Vendosja ceremoniale e kurorës së përbashkët në memorialin “Adem Jashari” në Prekaz
11:00 – 11:20 – Seanca Solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës ku Presidenti Begaj mban fjalën e rastit.
11:20 – 11:30 – Homazhe në monumentin e Policëve të rënë në detyrë.
11:30 – 11:45 – Nderime në Monumentin Heroinat.
17:00 – 19:30 – Pjesëmarrje në Pritjen Shtetërore të rastit.
Një ditën më parë, Presidenti Begaj ka qenë pjesmarrës në një pritje të organizuar nga ambasada e Kosovës në Tiranë. Në fjalën e tij, Begaj tha se Shqipëria është një mbështetëse e natyrshme e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit në organizatën ndërkombëtare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




