Zhupa: PS kërkon ndryshime ligjore që t’i japë Skënder Gjinushit mandatin e përjetshëm në krye të Akademisë së Shkencave

Deputetja demokrate Ina Zhupa ka akuzuar kreun e Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi se po mundohet që në mënyrë anti-ligjore të marrrë një mandat të dytë në krye të këtij institucioni.
Zhupa thotë se për t’I siguruar mandatin atij, PS po bën një ndryshim ligjor që sipas saj do I jap Gjinushit “mandatin e përjetshëm”.
“Akademia e Shkencave sot drejtohet në mënyrë anti-kushtetuese nga një njeri që nuk është dekretuar nga Presidenti, që ka lidhje me shkencën aq sa plagjiatura e tij Caruana me gjuhësinë, që ka qenë kryetar partie politike kur është zgjedhur në krye të Shkencës. Një njeri që pret t’i ndërpritet mandati nga Gjykata Kushtetuese, pas një padie të Partisë Demokratike, po lëviz gjithë fijet politike që të sigurojë në mënyrë, po anti-ligjore një mandat të dytë.
Në kuvend është depozituar një ndryshim ligjor, vetëm në shërbim të kapjes politike të akademisë së Shkencave nga Gjinushi, i cili e ka shpallur veten kryetar të përjetshëm, kryeredaktor të historisë, kryeredaktor të enciklopedisë. Ligji është bërë pikërisht për të shmangur mandatet e përjetshme dhe siguruar rotacionet e krerëve të institucioneve të pavarura. Këto po zhbëhen me ndryshimet që kërkon Partia Socialiste.
Neni 11, në pikën 10, përcaktonte se “Kryetari, zëvendëskryetari, sekretari shkencor dhe drejtuesit e seksioneve mund të rizgjidhen në të njëjtin funksion për dy mandate, por jo radhazi”. Me ndryshimin e propozuar, pika 10 e nenit 11 bëhet, “Kryetari, zëvendëskryetari, sekretari shkencor dhe drejtuesit e seksioneve mund të rizgjidhen në të njëjtin funksion për dy mandate”. Siç shihet është hequr togfjalëshi, “por jo radhazi””, tha Zhupa
Deputetja shton se akademikët meritojnë të kenë një akademi të pavarur dhe të zgjedhin të pavarur drejtuesit e tyre pa ndërhyrë Kuvendi.
“Cili është interesi publik në këtë rast që duhet mobilizohet Kuvendi për ndryshime ligjore? Si mund ta kthejmë Kuvendin në noter dëshirash dhe ambiciesh të aleateve politikë të Edi Ramës? Akademikët meritojnë të kenë një akademi të pavarur, një akademi që bën shkencë, meritojnë të zgjedhin të pavarur drejtuesit e tyre dhe mos të ndërhyjë Kuvendi për të paracaktuar mandate të radhës për një njeri që nuk e lëshon karrigen e Akademisë, siç bëri dhe me të partisë, që e mbajti derisa ia shiti një ‘akademiku’ tjetër. Gjithashtu i bëjmë thirrje Gjykatës Kushtetuese të marrë në shqyrtim padinë tonë për ligjshmërinë e postit të kryetarit të akademisë. Çdo vonesë do ta kalcifikojë turpin që ka mbuluar institucionin e lartë të shkencës dhe gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese ta shqyrtojnë sa më parë”, tha Zhupa.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




