“Ligji për dekoratat”, Begaj e rikthen për shqyrtim në Kuvend: Cënon kompetencat e Presidentit

“Ligji për dekoratat”, i miratuar në Kuvend, ka bërë që Presidenti, Bajram Begaj, t’ia kthejë sërish për shqyrtim Kuvendit, pasi në optikën e kreut të shtetit, ligji në fjalë, cënon kompetencën që ka Presidenti, në bazë të Kushtetutës, lidhur me dhënien e dekoratave.
Dy janë shqetësimet që ngre Begaj, lidhur me ligjin: heqja e një kompetence që i takon kreut të Shtetit, si dhe anashkalimi edhe i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me kompetencat që ka Presidenti.
Sipas tij, Ligji i miratuar nga Kuvendi, vjen në kundërshtim me parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve, në kuptim të nenit 7 dhe nenit 92/ç, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Përderisa neni 92, gërma “ç”, e Kushtetutës, përcakton dhënien e dekoratave dhe titujve të nderit si një kompetencë kushtetuese të Presidentit, kjo kompetencë është pjesë e objektit qendror të veprimtarisë së tij.
“Është e qartë, se në këtë rast kemi të bëjmë me një kompetencë kushtetuese të Presidentit të Republikës, i cili në kuptim të Kushtetutës, është një institucion i pavarur kushtetues, me ligj rregullohet mënyra e dhënies së dekoratave dhe titujve të nderit, pasi është e qartë se cili është organi që i jep ato. Gjykata Kushtetuese ka cilësuar në jurisprudencën e saj, lidhur me statusin dhe pozicionin e institucioneve/organeve të pavarura kushtetuese se: “Kjo pavarësi nuk është thjesht një privilegj i tyre, por një prerogativë e vërtetë dhe e domosdoshme, e cila u jep më shumë siguri, qëndrueshmëri dhe efikasitet organeve dhe institucioneve kushtetuese në ushtrimin e detyrave të tyre”,- thuhet në njoftimin e presidencës.
Sipas arsyetimit për kthimin në Kuvend, nisur nga përmbajtja e neneve të ligjit të miratuar nga Kuvendi, “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”, konstatohet një ngushtim i kompetencës kushtetuese të Presidentit të Republikës për dhënien e dekoratave.
“Në frymën e Kushtetutës, ligji në këtë rast mund të përcaktojë dhe detajojë çështje proceduriale apo teknike të procesit të dekorimit në rastin e kompetencës së ushtruar nga Presidenti i Republikës, por nuk mund të futet deri në përcaktime dhe detaje, që deformojnë apo ngushtojnë thelbësisht këtë kompetencë kushtetuese. Krijimi i Kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve, e cila përbëhet nga organet drejtuese, Kancelari dhe Kolegji i Urdhrave dhe Medaljeve dhe kompetencat e përcaktuara për këtë strukturë kolegjiale vendimmarrëse shtetërore, i heqin një pjesë të rëndësishme të kompetencës kushtetuese në vetvete Presidentit të Republikës. Dhënia e dekoratës me dekret nga Presidenti, nuk mund të konsiderohet një akt përmbyllës i procedurës përkatëse dhe një veprim thjesht honorifik/simbolik për Kreun e Shtetit. Dhënia e dekoratës duhet konsideruar si një akt përmbyllës i një procesi vlerësimi, që i takon paraprakisht dhe vetëm Presidentit të Republikës.”- thuhet në arsyetim.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




