Arritjet dhe objektivat/ Krifca: 35 % më shumë fermerë u regjistruan me NIPT, eksportet tejkaluan pritshmëritë

Politikë | 4 vite më parë

Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca ka bërë një rezyme të arritjeve gjatë 2022 në sektorin e bujqësisë, ku theksin kryesor e kanë pasur eksportet, por edhe rritja e prodhimit që ndihmuan në lehtësimin e krizës me të cilën u përball e gjithë bota gjatë 2022.

Gjithashtu edhe formalizimi i bujqësisë njohu rritje, ku gjatë 2022 u regjistruan 35 % më shumë fermerë se 2021.

“2022 u përballëm me një krizë ushqimore, ku ne ishim aty për të garantuar përgjigje të mënjëhershme që kriza të ndihej sa më pak për sektorin tonë. Ky ka qenë një vit që bashkarisht ia dolëm të stabilizojmë një vështirësi të madhe, ku i gjithë zinxhiri eksportues, grumbullues, përpunues kanë pasur një punë të jashtëzakonshme dhe të marrin mirënjohjen e duhur të bilancit të vitit 2022 që nisi si bilanc rezistence por që në fund solli dhe fitime. Kemi rritje të bujqësisë me 0.05 të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Bujqësia sot është shumë herë më i formalizuar se një vit më parë, ku kemi një rritje prej 35 % më shumë fermërë me NIPT se një vit më parë. Kemi një ecuri pozitive të prodhimit të grurit me 4 %, pemët frutore me 5 %, agrumet me 9 %, ndërsa rënie ka shënuar mishi dhe qumështi. Blegtoria do jetë prioritet për 2023. Eksportet janë “kali ynë” i betejës ku kemi një objektiv të tejkaluar për 2022, ku kemi një rrtiej prej 15.6 % në sasi”, tha Krifca.

Ministrja foli edhe për cilësinë e produkteve duke thënë se janë rritur kontrollet ndaj bizneseve që të mos abuzojnë, por edhe kanë forcuar mburojën ndaj mallrave të importeve që nuk respektojnë standardet sipas ligjit.

“Në 2022 janë kryer 32 764 kontrolle zyrtare ndaj biznesit ose 7 % më shumë se 2021 ku u vu re një rritje të standardeve të kërkuara për cilësinë e produkteve dhe tregtimit të tyre. Kemi kthyer mbrapsht 520 ton produkte importi që nuk ishin në përputhje me standartet duke rritur mburojën tonë ndaj importeve që nuk respektuan standardet”, tha ministrja.

Një nga prioritete e Bujqësisë është edhe dixhitalizimi, ku Krifca tha se është “caktuar një buxhet  5 mln euro në ndërtimin e disa sistemeve dhe regjistave për t’iu përshtatur BE dhe përthithur fondet, si regjistri i fermës”.

Ministrja krifca tha se dixhitalizmi “ do të sjellë ndërmarrjen e politikave të duhura duke ditur një realitet të qartë”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme