Arrestimi i Gjokutaj, Tabaku: Rastet e korrupsionit janë kthyer në statistika, dikush duhet të mbajë përgjegjësi

Deputetja, Jorida Tabaku, ka reagur për arrestimin e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj. Në një postim në Facebook, Tabaku shprehet se sistemi i ngritur aktual promovon korrupsionin pasi siç ajo shkruan rastet e korrupsionit tashmë janë kthyer në statistika.
Për Tabakun, arrestimi i autoritetit më të lartë në Republikën e Shqipërisë për ekzekutimin e të gjithë pagesave të buxhetit të shtetit nuk mund të trajtohet thjesht si një statistikë, ndërsa kërkon që dikush të mbajë përgjegjësi qoftë edhe politike për sa ndodh.
“Hapi i parë është kthimi i Luftës kundër Korrupsionit në një prioritet kombëtar pasi nuk janë rastësi kaq shumë arrestime dhe madje nuk është as rastësi pse shqiptari largohet”, thekson Tabaku në reagimin e saj.
“Një i korruptuar është tragjedi, shumë janë thjesht statistikë! Sot është arrestuar nëpunësi i parë autorizues SP i Ministrisë së Financave i cili është autoriteti më i lartë në Republikën e Shqipërisë për ekzekutimin e të gjithë pagesave të buxhetit të shtetit.
Ky person ka pasur në përgjegjësi ekzekutimin e buxhetit, kryerjen e të gjitha pagesave, ndjekjen e të gjithë ministrive të linjës dhe pagesave të tyre. Me pak fjalë, ky është njeriu që ka çelësat e shtetit në dorë dhe sot është arrestuar pikërisht sepse ato çelësa i ka përdorur sipas interesit dhe jo sipas ligjit. Unë nuk pranoj dot më që kjo të quhet arritje, që të numërohet arrestimi i njeriut që ka çelësat e shtetit, si një statistikë dhe të tundet arrestimi i tij si trofe sa herë takojnë ndërkombëtarët apo sa herë shkojnë të raportojnë tek to.
Dikush duhet të mbajë përgjegjësi qoftë edhe politike për sa ndodh; pasi nuk është vetëm një Sekretar i Përgjithshëm, as vetëm dy ministra dhe as vetëm një deputet. Ne e dimë që janë më shumë. Shqiptarët e dinë.
Ky sistem i ngritur promovon korrupsionin. Ky sistem nxit korrupsionin. Ky sistem nuk promovon vlerat e një shoqërie të shëndoshë, meritokracinë dhe tregun! Sistemi që po flasim është ai i zyrtarëve që sot shihen si modele të lehta suksesi, pasi ekspozojnë qindra mijëra euro, stil jetese të papërshtatshëm dhe e gjitha se kjo vjen si rezultat i një sistemi të ndërtuar me kokëposhtë.
Për ta luftuar duhet një plan dhe mbi të gjitha vullnet politik; një vullnet jo denoncues dhe inkuizitor por një vullnet që e lufton atë dhe mbi të gjitha i hap rrugë një sistemi vlerash. Hapi i parë është kthimi i Luftës kundër Korrupsionit në një prioritet kombëtar pasi nuk janë rastësi kaq shumë arrestime dhe madje nuk është as rastësi pse shqiptari largohet.
Pa shkuar këtu, ne do të vazhdojmë të hedhim topin nga një fushë në tjetrën, do të numërojmë ushtarët specialistë të korrupsionit si statistikë nën moton e Stalinit “Një i korruptuar është tragjedi, shumë janë thjesht statistikë”. Duhet bërë sot!”, shkruan Tabaku.
Prokuroria e Tiranës urdhëroi arrestimin e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, drejtorit të personelit në të njëjtën ministri, Fatmir Hoxhaj, si edhe një përmbarues. Akuza e ngritur është ajo e shpërdorimit të detyrës, ç’ka sipas Prokurorisë, është vërtetuar në disa shkresa ku sekretari i përgjithshëm ka firmosur, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej afro 1.2 milion euro.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




