Meta: Qeveria financon fëmijët e zyrtarëve dhe jo të rinjtë e talentuar! IKMT është kthyer në kamxhikun ndëshkues të Ramës

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka zhvilluar mbledhje me Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë. Në fokus të diskutimeve ka qenë korrupsioni në vend, shpopullimi dhe dalja e vendit nga lista gri e pastrimit të parave.
Meta akuzoi qeverinë se po financon fëmijët e zyrtarëve dhe oligarkëve duke demotivuar të rinjtë e talentuar.
“Kohët e fundit u njohët edhe me skandalin e Ministrisë së Sipërmarrësve që financon fëmijët e oligarkëve dhe zyrtarëve por jo të rinjtë e talentet që paraqesin projekte për të çuar para teknologjinë. Lista e fituesve tregoi se edhe ato pak para që shkojnë për inovacionin, shkojnë për fëmijët e qeveritarëve e oligarkëve e jo për bizneset me ide të qartë start-up. Shkelet konkurrenca e demotivohen të rinjtë. E njëjta skemë është ndjekur edhe me fondet e shpërndara nga Bashkia Tiranë ndaj Organizatave të ndryshme me rastin e vitit të rinisë. Ndaj lufta ndaj korrupsionit mbetet një prioritet madhor i Partisë së Lirisë. Korrupsioni Skizofrenik i Rilindjes po varfëron çdo familje, po dëmton ëndrrat çdo të riu, po mban në këmbë te keqen që po gërryen Shqipërinë. Fondi Monetar Ndërkombëtar, sikundër edhe opozita ka paralajmëruar më herët, ka ngritur së fundmi alarmin e kuq për nivelin e lartë të rrezikut që paraqet modeli ekonomik i Rilindjes për stabilitetin financiar të Shqipërisë. Një denoncim më të qartë për mungesën e transparencës së kësaj qeverie nuk ka. Rilindja është kaq e pashpirt sa mirëpret fatkeqësitë që ti shfrytëzojë”, tha Meta.
Aksionet e IKMT, Meta i ka cilësuar si kamxhikun ndëshkues të kryeministrit Rama.
“Është nevojë urgjente marrja e masave për daljen nga lista gri për pastrimin e parave ku kullat në Tiranë janë kthyer në lavatriçen kryesore të pastrimit të parave të pista. Banditët e rilindjes nuk prisnin dot as të linin banorët te pallati te Myslym Keta dhe nuk pritën të merrnin një vendim gjykate. Horrave të bashkisë nuk u priste ora dhe e dinë që IKMT është kthyer në kamxhikun ndëshkues të Ramës dhe rilindjes ndaj të pambrojturve dhe të tjerëve”, tha Meta.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




