“Rithemelimi” i PD-së, Zhupa: Të ndalohen menjëherë punimet në lagunën “Vjosë-Nartë” për Aeroportin e Vlorës

Deputetja Ina Zhupa, në emër të “Rithemelimit” të PD-së, ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të punimeve në lagunën “Vjosë-Nartë”. Sipas saj, PD mbështet vendimin e Komitetit të Konventës së Bernën dhe shqetësimet e BE për Aeroportin e Vlorës.
“Partia Demokratike e ka denoncuar në mënyrë të vazhdueshme edhe publike shkeljen e ligjeve dhe konventave në procesin për ndërtimin e Aeroportit të ri të Vlorës. Ashtu siç pritej, edhe Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës u kërkoi autoriteteve shqiptare pezullimin e punimeve për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës dhe ndërmarrjen e një programi gjithëpërfshirës të monitorimit të jetës së egër dhe rishikimin e të dhënave të Raportit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për zonën ku po ndërtohet aeroporti.”- deklaroi Zhupa për mediat në një konferencë për shtyp.
Sipas saj, Bashkimi Evropian e ka përfshirë në mënyrë të përseritur në Progres Raportet për Shqipërinë shqetësimin për aeroportin në zonën “Vjosë-Nartë”, se është në “konflikt me ligjet kombëtare dhe konventat ndërkombëtare të mbrojtjes së larmishmërisë biologjike, të cilat Shqipëria i ka ratifikuar”.
Zhupa shprehet se mjedisi është një çështje thelbësore për BE-në.
“Nëse qeveria shqiptare vazhdon me këmbëngulje të shkelë konventat, te mos zbatoj rekomandimet e Bashkimit Evropian kjo është kosto e madhe për qytetarët shqiptarë në rrugën e integrimit. Nga ana tjetër është edhe një kosto e madhe mjedisore për lagunën Vjosë-Nartë me risk të lartë edhe për vetë sigurinë aeroportuale në rast se vazhdohet në këtë rrugë. Partia Demokratike është pro ndërtimit të një Aeroporti për Vlorën dhe e mbështet zhvillimin, por nuk mund të pranojë kurrë që të shkelen ligjet, konventat, të cënohen standardet europiane, të rrezikohesh shkatërrimi i mjedisit vetëm për një kapricio kryeministrore edhe projekte pa plane të mirëfillta. Çdo nismë në shkelje të kontratave dhe konventave europiane është atentat kundër Shqipërisë dhe integrimit.”- deklaroi Zhupa.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




