Sa kohë na duhet për anëtarësim në BE? Ja përgjigja surprizë e ish- ministres socialiste

Nënkryetarja socialiste e Komisionit të Integrimit, Etilda Gjonaj, ka një parashikim optimist për kohën se kur Shqipëria do të anëtarësohet në BE.
“Vende te ndryshme kanë patur periudha të ndryshme, por unë besoj që, nëse ne do të shkojmë në gjurmët e vendeve të cilat kanë patur një proces të pandikuar nga përshpejtimi i vendimarrjeve të tjera politike, siç është Kroacia, besoj që në një hark kohor 5-8 vjet ne mund të arrijmë të jemi pjesë e familjes së madhe evropiane.”- u shpreh zonja Gjonaj për emisionin “Pa Censurë”.
Ajo pohoi se ky është një afat që diskutohet jo publikisht në tryezat vendimarrëse, në lidhje me çështjet e integrimit. Shqipëria i nisi zyrtarisht bisedimet e anëtarësimit në korrik 2022 dhe aktualisht gjendet në fazën e kontrollit nga BE të legjislacionit shqiptar sesa përputhet ai me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Për shkak të luftës në Ukrainë dhe ndikimit rus në rajon, BE po sheh mundësinë e politikës se përshpejtimit të zgjerimit të Unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Por a është gati Shqipëria për një hap të tillë, nëse ai ndodh? Ja si përgjigjet nënkryetarja socialiste e Komisionit të Integrimit, Etilda Gjonaj.
“Ky është një proces meritokratik dhe për Shqipërinë do të jetë i tillë. Qeveria ka marrë masat për të patur mundësinë që, nëse do të ketë një vullnet politik për të përshpejtuar procesin nga ana e BE, Shqipëria është e gatshme. Edhe presidenti gjerman vuri më dukje rëndësinë tek vazhdimi i Reformës në Drejtësi, që është bërë një model edhe për vendet e tjera, si dhe sprapsjen e fenomeneve të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nëse do të ketë vullnet nga BE për përshpjetim, Shqipëria do të jetë gati”- theksoi zonja Gjonaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




