“Primaret”, “Rithemelimi” i PD-së publikon shifrat e pjesëmarrjes në votimin për zgjedhjen e kandidatëve për kryebashkiakë

“Rithemelimi” i PD-së ka publikuar të dhënat më të fundit, lidhur me procesin e “Primareve” që po zhvillohet në disa qytete të vendit. Anëtari i Kryesisë së “Rithemelimit”, Enno Bozdo, deklaroi për mediat se deri në orën 15:00 pjesëmarrja e simpatizantëve dhe anëtarëve të “Rithemelimit” ka qenë 42.365 qytetarë.
Sipas tij, pjesëmarrja ka qenë: Shkodër 2365 votues; Lezhë 3850 votues; Kukës 3690 votues; Dibër 3250 votues; Durrës 2380 votues; Tiranë 12127 votues; Elbasan 3147 votues; Korçë 3855 votues; Berat 1296 votues; Fier 3135 votues; Vlorë 2207 votues; Gjirokastër 1063 votues.
Lidhur me parregullsitë e vërejtura, Bozdo tha se ato po analizohen. Sipas tij, po ndiqen në vazhdimësi jo vetëm denoncimet për parregullsi, por edhe problematika të tjera që janë hasur në këtë proces.
“Gjithësesi, deri tani procesi ka shkuar shumë mirë dhe pjesëmarrja është tepër e lartë, gjë që tregon se simpatizantët e kanë kuptuar rëndësinë”- u shpreh Bozdo.
Me këtë rast ai bëri sërish thirrje për pjesëmarrje sa më të lartë në protestën e 6 dhjetorit. Sipas tij, janë marrë të gjitha masat për të qenë një protestë shembullore e jashtëzakonshme, ku populli shqiptar do të dalë të protestojë si një popull evropian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




